Mali i Zi u dënua nga UEFA për shkak të thirrjeve raciste ndaj futbollistëve të Anglisë, në ndeshjen e marsit.
Dejan Savicevic, president i Federatës së Futbollit të Malit të Zi thotë se malazezët nuk e merituan dënimin që e morën nga UEFA, i cili i detyron ta zhvillojnë pa praninë e shikuesve ndeshjen me Kosovën, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2020.
“Ka ndodhur që një grup prej 7-8 personave e ka bërë atë që nuk është dashur ta bënin dhe e kemi marrë një sanksion drastik, të cilin nuk e meritonim. Për këtë ka gjasa që do të luajmë pa shikues kundër Kosovës. E kemi shkruar një ankesë, por nuk jam i sigurt nëse do të ndryshojë diçka”, ka thënë Savicevic për Tanjug.
Me këtë rast, ai e pranon se loja do të bëhet më e vështirë për malazezët në aspektin sportiv.
“Personalisht, më vjen keq që lojtarët nuk do ta kenë mbështetjen e publikut për këtë lojë. Por, kështu ka ndodhur dhe ne duhet ta pranojmë këtë”, vazhdoi tutje Savicevic.