Krenare dhe e lumtur, ajo ka zbritur në tokën e Kosovës, para gjysmë ore. Është kjo Majlinda Kelmendi, e cila i solli sot Kosovës, edhe një medalje të artë nga garat e xhudos.
Ajo rrëmbeu të artën para dy ditëve, në kampionatin Botëror të xhudos, i cili është mbajtur në Rusi.
Kelmendi, e drejtuar nga trajneri Driton Kuka, në finale të kësaj gare, në kategorinë deri në 52 kilogram, e ka mposhtur rumunen Andreea Chitu.
E kur u kthye, ajo tha se është mjaft e lumtur për këtë sukses. Kelmendi, ndonëse nuk ishte ndier e sigurt deri në fund të garës, në një transmetim direkt në RTK, menjëherë pas aterimit, ka treguar për momentet e vështira dhe sfiduese të kësaj gare, duke mos lënë anash këtu as vendin ku është zhvilluar gara, Rusinë, vend i cili ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.
Por ky fakt, nuk e kishte penguar që ajo të dalë triumfuese.
“Derisa nuk ka përfunduar lufta, nuk kam qenë e sigurt. Njerëzit në përgjithësi në Rusi kanë qenë pozitiv dhe një organizim të tillë nuk kemi parë asnjëherë. Fatkeqësisht sot gjithçka qëndron politikisht, mirëpo nuk mendoj që ka qenë pengesë aq e madhe, se tashmë njerëzit e dinë që unë jam nga Kosova dhe si sportiste jam formuar këtu. Fatki që unë e kam mbrojtur titullin dhe jam bërë kampione botërore, nuk më kanë penguar aspak pengesat e vogla që kanë qenë aty”, ka thënë kampionia Majlinda Kelmendi.
Përsëritja e titullit për herë të dytë si kampione e botërorit në xhudo, nuk ka qenë edhe aq e leht sipas trajnerit të saj, Driton Kuka, duke pasur parasysh presionit dhe vendit ku është zhvilluar gara.
Ndërsa ai ka theksuar faktin se është hera e parë që dikush, si Majlinda e fiton këtë garë për të dytën herë radhazi.
“Me përsërit titullin e kampionit botërorë në kampionatin e Xhudos është mjaft e veçantë. Kjo do të flitet edhe në sportin Botërorë, jo vetëm në Kosovë. Nuk ka ndodhur asnjë herë që të fitoj dy herë radhazi në këtë që ka fituar Majlinda. Majlinda ka pasur presion për shkak që gara është mbajtur në rusi dhe garuesja ka qenë ruse, mirëpo ja kemi arritur. Kjo është një sinjal që Kosova po hynë në hartën botërore si një fituese”, ka thënë Uka, i kthyer në Kosovë, bashkë me xhudistin.
Për t’i pritur në aeroport, kishte dalë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, i cili ka falënderuar që të dy për arritjet në Rusi.
Ai, ka theksuar faktin e rritjes së përkrahjes për këtë sport, në mandatin e tij, duke shtuar po ashtu se kjo përkrahje do të rritet edhe në të ardhmen.
“Po i falënderoj të gjithë ekipin dhe padyshim që kjo përsëritje titullit, në secilin sport nuk është e lehtë. Kjo është diçka që na nderon dhe na inkurajon që të vazhdojmë mbështetjen edhe më tepër. Ne në këtë mandat e kemi kaluar dhe e kemi dyfishuar këtë mbështetje”, ka thënë Krasniqi.
E kur gjithë kjo përfundon, kampionatës botërore të xhudos, do t’i duhet të përgatitët për sfidën e radhës, e që janë Lojërat Olimpike. Edhe për këtë sfidë, xhudistja Kelmendi beson se nuk do ta zhgënjej vendin e saj.
Majlinda Kelmendi kishte fituar medaljen e artë edhe në konkurrencën e senioreve, në sportin e xhudos, në kategorinë nën 52 kilogram, në Kampionatin Botëror në Brazil, i cili u mbajt vitin e kaluar.
Ajo ishte po ashtu fituese edhe e kampionatit botëror të juniorëve në vitin 2009.
http://www.rtklive.com/index.php?id=4&r=2963