Duke kujtuar të kaluarën tonë historike, Lugina e Preshevës nga dita në ditë po bart edhe plagët e së kaluar, që ky rajon me popullatë shqiptare autoktone kishte dhe ende e ka fatin e popujve më të shtypur –robëruar në planet.
Valon Jashari
E kaluara dhe e tashmja e mbushur me përplot sakrifica, vuajtje, vrasje, masakra , torturime , dhunime, djegie të shtëpive deri tek edhe ajo lule që është mbjell nga dora shqiptare.
Luginës si në këtë kohë maji po i mungoj ato rreze dielli që dikur shndrisnin dhe lehtas përqafonin çdo kënd të asaj toke arbërore, Bardhyl Osmani, Shaban Ukshini, Kastriot Arifi, Sami Ukshini dhe të gjithë dëshmorët e kombit.
Vitet 2000-2001 e bën çdo shqiptar në Kosovë Lindore të ndjehet mu ashtu siç është si autokton në tokën e tyre arbërore, nga këta pishtar të pashuar që për disa muaj ligjëruan shqip në trojet tona dhe na mësuan të e duam veten, atdheun dhe lirinë.
Shikuar në kontekstin historik maji për Luginën është një e kaluar e lavdishme e historisë së popullit shqiptar, që ngërthen në vete vuajtje por mbi të gjitha krenarin, pasi që gjatë viti 2000-2001 u zhvilluan disa beteja frontale në mes të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë, UÇPMB-së dhe okupatorit serb.
Në rrethanat politike të kohës lindi kjo ushtri çlirimtare shqiptare nga bijtë dhe bijat më të mira të kombit shqiptar që i treguan botës se dimë dhe duam edhe ne lirim si çdo popull tjetër i lirë.
Në majin e lavdisë për Luginën janë të rëndësishme këto ngjarje pasi që në altarin e lirisë ranë disa dëshmorë të kombit si: Brdhyl Osmani, Shaban Ukshini, Kastriot Arifi, Sami Ukshin…pastaj zgjerimi frontal i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë, UÇPMB-së me një territor më të gjerë, si dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Konçulit.
Zgjerim frontal i UÇPMB-së ishte nga fillimi i muajit maji me marrjen nën kontroll të fshatit Rahovicë, një fshat me një numër më të madh të banorëve në Preshevë, bëri që serioziteti i luftës çlirimtar në këtë rajon të shikohej edhe nga shteti serb edhe nga bashkësia ndërkombëtare me një sy me serioz gjë që pati edhe refleksione në sensibilizimin e çështjes shqiptare.
Kjo shtrirja frontale në Rahovicë bëri që makineria serbe pushtuese të mobilizohej shumë seriozisht dhe kishte rrethuar me arsenalin e saj shume të rëndë për disa ditë rresht dhe duke sulmuar në disa drejtim ku edhe u zhvilluan beteja të rrepta.
Gjatë këtyre luftimeve kishte të plagosur nga ana shqiptare dhe të vrarë por edhe nga ana e ushtrisë serbe.
Maji na mori pishtarët e lirisë së ëndërruar e të dëshiruar dhe të merituar por asnjëherë deri më sot të përjetuar për shqiptarët e Kosovës Lindore.
Këta pishtar të lirisë që e ëndërronim dhe e dëshironim tani më janë në zemrat tona mendjet tona, frymën tonë dhe janë udhërrëfyes për të ardhmen se si duhet të kërkohet liria jonë.
Dhe mjafton të rikujtojmë nëpër mendjet tona dhe tek brezat e rinj, thënien e dëshmorit të kombit Bardhyl Osmanit ku thoshte në mes të betejave “Gëzohem qe i takoj një gjenerate, që po e dinë, se pa liri nuk ka asgjë”
Marrëveshja e Konçulit është një nga dokumentet me rëndësi historike për Kosovën Lindore, i nënshkruar më mes të muajit maj, në mes të UÇPMB-së dhe shtetit serb me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Në bazë të disa pikave të marrëveshjes ndër të tjera shihej edhe çarmatosja e UÇPMB-së, gjë që për popullatën e kësaj ane ishte një fatkeqësi, pastaj parashihej edhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve.
Kjo marrëveshje për fat të keq nuk është zbatuar në asnjë pikë të saj dhe për më shume gjendja është po ajo si para marrëveshjes edhe ate tani me tanke e makineri ushtarak në çdo kënd të këtij territori shqiptarë.
Do të duhej që nënshkruesit e kësaj marrëveshje dhe klasa politike të bëjmë presion më të madhe tek shteti serb dhe tek bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të implementohet apo në të kundërtën duhet gjetur rrugët dhe mjetet që justifikojnë të drejtën tonë për liri.
Valon Jashari:
*Historian, ish-veteran i UÇPMB-së, ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ish i burgosur në grupin e Dobrosinit dhe tani akoma në këtë proces gjyqësor si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.