*
Fjalët e fundit të mjekut ia ndalën frymëmarrjen! Në gjoks ndjeu dhembje. Por, dhimbja ishte më e madhe se dhembja që e bëri të ulet detyrimisht në ulëse, aty në korridorin e repartit. Me shuplakë të dorës bëri disa rrathë te zemra, derisa përpiqej ta rregullonte frymëmarrjen që iu kishte rënduar në çast.
– Merre, le të çmallet me fëmijët dhe me ju, për aq kohë sa i ka mbetur, – i kumbuan si gjilpërë në timpane, fjalët e mjekut, që i erdhën të turbullta, nga fakti që nuk deshi t’i dëgjonte.
Një heshtje pushtoi Klinikën e Onkologjisë, sikur ky ambient të ishte zëvendësuar me Morgun e këtij Spitali, ndonëse ai repart ishte disa blloqe më lartë.
Sa e çuditshme është jeta! Qysh për një moment nuk ka kuptim më asgjë. Ama, hiq asgjë! Qysh ëndrrat e thurura për një kohë të gjatë, me vrullin e dashurisë, treten në qastë si një e kërcitur gishtërinjsh! Mbetet veçse një zbrazëtirë. Një asgjë në vend të ëndrrës!
– Sa jetë ka, doktor?! – dikur i belbëzuan buzët, të cilat sikur nuk i kishte më në komandë, sepse pyetën për diçka që e dinin se përgjigjen do ta prisnin si të ishte plumb.
– Më pak se dy muaj, por duke llogaritur se në javët e fundit do të jetë krejtësisht e lidhur për shtrati, – sërish erdhi e vrazhdë përgjigja e mjekut.
– A mund ta shoh?
– Po, urdhëro, veçse se mos e lodh shumë…!
**
Pikëllimi me të cilën ishte mbushur zemra e saj, ia kishte tretur shkëlqimin e syve. Më buzëqeshi. Sikur unë të kisha nevojë për forcë e jo ajo. Përmes asaj buzëqeshje të venitur mundohej të më jepte shpirt. Ishte një moment kur lotët nuk të pyesnin.
E kapa për dore dhe çuditërisht ai kontakt prodhojë kujtimin blic, për çdo të lumen ditë që jemi mbajtur përdore, veçmas shëtitoreve të parkut, aty ku edhe ishim njohur. E, tek ulësja nën hijen e arrës, aty ku u zhvirgjëruan buzët tona, vargoheshin pastaj puthjet tjera, ashtu, pa ia lëshuar dorën asnjëherë njëri tjetrit. E, zakoni i saj ishte i tillë që puthjen e përmbyllte përherë me buzëqeshjen e saj cicërimë…!
– Mos u trego asgjë fëmijëve, – tha dikur ajo, me zë të shterur.
– Dhe, të lutem, mos të të tretet asnjëherë në mendjen tënde shkëlqimi i syve të mi, në të cilën u dashurove së pari dhe më bëre të ndjeja se isha vajza më e lumtur në botë. Krejt çfarë dua tani nga ti, është që të ma kujtosh buzëqeshjen time. Buzëqeshjen më të mirë që ta kam dhuruar. Le të jetë ai imazh i fundit, e jo ato që mund të prodhojnë këto ditët e mia të fundit.
– Të lutem…!
Tani unë i buzëqesha asaj, por në formën e tillë sikur ta kisha zbuluar mënyrën më të mirë se si përmes buzëqeshjes mund t’i thuhet, një të dashure: “Të dua”, edhe më fuqishëm se me fjalë. Shikimi i saj. ndonëse po shkonte drejt fikjes, ma ktheu po me aq fuqi: “Të dua edhe unë ty”.
I mbylla sytë për ta kërkuar buzëqeshjen e shpirtit, derisa zemra ime më foli me gjuhën e saj, për të ma kujtuar se, sado që ta kemi dashur një person të zemrës, kurrë nuk do ta kuptojmë se sa të lumtur ishim që e kishim afër vetës, deri në momentin kur do ta mësojmë se do e humbim përgjithmonë. Kurrë…!
/Muhamet HALILI/