Nënkryetari i LDK’së, njëherit kryetar i Degës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka deklaruar se tre brezat e partisë sot kanë kohezion të plotë për Kosovën europiane.
Këto komente, Haziri i ka bërë në Konventen solemne të Forumit të Rinisë së Degës së LDK’së në Gjilan, të mbajtur të premten.
“Tre brezat e LDK’së, ai i politikave të rezistencës, brezi i Republikës dhe brezi i Kosovës Europiane, kanë kohezion të plotë. Tashmë i kemi kaluar vështirësitë e dallimit të gjeneratave dhe kjo është fantastike”. Të rinjtë e të rejat që kanë filluar aktivitetin para 30-vjetësh, sot bartin përgjegjësi të larta institucionale dhe ju duhet t’i merrni shembull”, tha Haziri.
Ai pohoi se zgjedhjet kanë kuptim kur iu lëshohet vend të rinjve e të rejave dhe grave e burrave për të hyrë në proces.
“Të rinjtë duhet të vazhdojnë të shkollohen, ta zgjedhin profesionin në studime për ta përcaktuar suksesin e jetës së tyre. Përmes procesit zgjedhor dhe kësaj Konvente, do të dalin emra kualiatativ në Kuvendin e Degës, në mënyrë që ta keni zërin tuaj në vendimmarrje, duke qenë konkurrues, kandidues dhe zgjedhës nesër. Pra, qëllimi është që të rinjtë dhe të rejat të marrin rol udhëheqës në vendimmarrje”, tha nënkryetari i LDK’së, për të shtuar se në BE nuk shkohet me politika të zhurmaxhive dhe me ata që kanë problem me ligjin.
“Në klubin e politikbërjes të quajtur Bashkim Europian, nuk mund të hyjnë zhurmaxhinjtë, ata që bëjnë politika të këqija, ata që kanë problem me ligjin dhe ata që kanë problem me krimin e organizuar. Po vjen koha për ndryshim dhe ndryshimi ka me ndodhë me kthimin e madh të LDK’së si parti e parë. Ky rikthim i madh, nënkupton besim tek partnerët, shpresë tek popullata jonë dhe guxim e përgjegjësi për ta zhvilluar vendin tonë’, u shpreh Haziri.
Kryetarja e Forumit të Rinisë së LDK’së në Gjilan, Rina Ahmeti, ka thënë, ndër të tjera, se modeli më i mirë i të rinjve është pikërisht Lutfi Haziri, derisa kryetarja e Forumit të Gruas së LDK’së, Lirije Kajtazi, ka përgëzuar dhe falënderuar rininë e partisë për kontributin, organizimin dhe angazhimin e jashtëzanshëm për këto 30 vite të funksionimit.
Ndryshe, të shtunën në ora 16:00, në teatrin e qytetit mbahet Konventa solemne e Forumit të Gruas së LDK’së në Gjilan, përderisa procesi zgjedhor brendapartiak është në përfundim, meqë kanë mbetur të përfundohen edhe tri nëndegë.