Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në akademinë përkujtimore për shënimin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Pajazit Ahmeti, ka thënë se ky i fundit ka qenë njeri fjalëpak, por që na mësoi se si vdiset për atdhe.
“Paja ka qenë njeri i urtë, i pafjalë, por unë si mik i familjes dhe bashkëveprimtar i tij, mund t’ju them që ai ka qenë njeri që ka ditur të veprojë. Zoti ka dashur që ta sporvon me rënien e tij në altarin e lirisë, duke u bërë dëshmori i parë i 15 prillit. Vlerësimi e heroizmit të Pajës vitin e kaluar nga presidenti i Republikës, do të thotë që është hedhur dritë për heroizmin e tij. Kujtimi për Pajën do të na mbaj për sa të ekziston historia dhe ky komb”, ka deklaruar Haziri në akademinë përkujtimore, ku kanë marrë pjesë një numër masovik i njerëzve.
Haziri tha se Pajazit Ahmeti me veprën e tij, ka kaluar përtej kësaj Republike e regjioni, duke dhënë shembullin më të mirë se si vdiset për atdhe.
“Por, Paja nuk ka hyrë në luftë vetëm për ta çliruar Gjilanin dhe veç Kosovëm, por për t’i çliruar shqiptarët kudo që janë. Kjo na mbetet trashëgimi e neve të gjallëve që ta vazhdojmë. Lufta nuk ka përfunduar, çlirimi nuk është përmbyllë, liria nuk është e barabartë për të gjithë dhe pavarësia e Kosovës nuk është shtrirë deri aty ku jetojnë shqiptarët për të cilët Paja ka vdekur”, tha
Haziri, duke shtuar se me mjetet të tjera duhet ta çojnë amanetin në fund.
“Ndoshta jo me mjete të Pajës dhe bashkëluftërarëve të tij, por t’i shfrytëzojmë së paku mjetet tjera ta çojmë atë amanet në vend, duke i ikur politikës ditore, klaneve politike e ideologjike. Duhet të bashkohemi të gjithë me një vullnet politik dhe me një angazhim të madh që ta bëjmë lirinë edhe për shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe kudo që jetojnë”, theksoi Haziri.
“Lavdi Pajës dhe faleminderit që na mësove se si vdiset për atdhe. Këta të gjallët sot që janë le ta mendojnë secili prej tyre se ku kanë qenë atë ditë kur Paja është vrarë dhe Afrimi ka mbijetuar?!”, ka pyetur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në këtë akademi kanë folur edhe ish-komandanti i ZOK, Ahmet Isufi, kryetari i Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, sikurse edhe vajza e dëshmorit Pajazit Ahmeti, Qëndresa.
Përndryshe, në këtë akademi është lexuar dekorata e presidentit të Republikës, i cili ka shpalluar Pajazit Ahmetin me urdhrin Hero i Kosovës, për të vazhduar me shfaqjen e dokumentarit për jetën dhe vepren e tij.