Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pritur në një takim pune përfaqësuesin e shoqatës “Pogragja” në Zvicër, Agron Aliun dhe përfaqësuesin e këshillit të fshatit Pogragjë, Muhamet Islami, me të cilët kanë konfirmuar se do të vazhdojë bashkëpunimin maksimal për investimin e projekteve për këtë fshat.
“Është shoqata “Pogragja” në Zvicër, e cila ka mbështetur nismat e fshatit përmes kontributit të madh që ka dhënë mërgata me financimin direkt për gjelbrimin e ambientit, pastrimin, mirëmbajtjen në përgjithësi dhe realizimin e projekteve të tjera në fshat. Bashkë me shoqatën, por edhe me Këshillin e Fshatit, Komuna e Gjilanit do të investojë projekte me prioritet në këtë fshat për të krijuar kushte më të mira të jetës dhe standarte moderne”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka thënë se lajm i mirë është ratifikimi i marrëveshjes nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për investimin e impiantit dhe kolektorëve që e prekë direkt edhe Pogragjën.
Projekt i cili rrjedhën e lumenjve do ta kthej në pamjen e tyre natyrale pa ndotje dhe pa kundërmim. Projekti tjetër është investimi infrastrukturor te Kalaja, ku pos infrastrukturës bazike do të punojmë në shndërrimin e asaj pjese përgjatë rrjedhës së lumit Llapushnica, në një park rekreativ për fshatin dhe vizitorët gjithashtu, që bashkarisht e kemi filluar dhe do të punojmë njëkohësisht edhe në drejtimet tjera për më të mirën e mundshme”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Agron Aliu, nga shoqata Pogragja në Zvicër ka falënderuar kryetarin për angazhimin dhe mbështetjen, derisa ka konfirmuar se tani është radha e investimeve brenda fshatit në ndriçim trotuare dhe gjelbrim duke konfirmuar se pritjet janë që ky project të realizohet gjatë këtij viti eventualisht përfundimi i tij të bëhet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Edhe Muhamet Islami që deri tani ishte kordinator i fshatit, ka qenë falënderuas ndaj Komunës së Gjilanit dhe shoqatës Pogragja për punët që kanë bërë në fshat dhe njëkohësisht për investimet që janë bërë në këtë kohë.
Ai më tej ka konfirmuar se bashkëpunimi, angazhimi dhe puna nuk do të mungoj asnjëherë që ky fshat të jetë gjithnjë e më mirë, ashtu edhe qysh e meriton.