Edhe në politikë ka diçka që quhet “moral politikë”, të cilën gjenerata e re patjetër duhet ta kenë pjesë të karakterit e personalitetit si lider të rinj. Nuk është e ndershme në politikë të sulmosh dikë pa fakte e argumente, të përdorësh miq e media të sulmosh vetëm pse të jepet mundësia, ose e krijon atë në forma të ndryshme.
Shkruan: Alfred Halili
Ata të cilët mundohen të rrinë në qendër të vëmendjes duke krijuar kauza të rrejshme, duke provokuar e nxitur tema boshe, dhe janë duke u munduar të shpikin frymë përçarëse Luginas-Gilangji, vetëm për të lëvizur politikisht, edhe pse në rreth vicioz, nuk i përfaqësojnë as Luginasit e as vendasit.
Në Gjilan nuk ka i huaj apo vendas, të gjithë qytetarët ndjehen e jetojnë të barabartë, komuna e shtrinë dorën (aq sa mundet keq ose mirë), pa dallime. Madje më duket qesharake kur dikush bënë diferencime të tilla.
Çka është absurde nuk mund të duket e as pranohet si normale. Nuk mund të jetë për shembull, Lutfi Haziri herë mbrojtës e dashamir i luginasve, e herë denigrues e kundërshtar i tyre. Pavarësisht pse politikisht mund të mos pajtohemi me politikat e nivelit lokal dhe qendror të Lutfi Hazirit, është absurde të thuash se është kundër luginasve. Ose njerëzit rreth tij janë antiluginas.
Lutfi Haziri është gardiani i vetëm i Rezolutës për Luginë të vitit 2013-të, lideri i parë kosovar që ka vizituar Luginën në cilësi të kryetarit të komunës së Gjilanit, ka kontribuar më së shumti nga gjithë politikanët në Kosovë e Shqipëri për sensibilizimin e opinionit kombëtarë e ndërkombëtarë për gjendjen e luginasve.
I vetmi që ka respektuar rezolutën për Luginën dhe ka hapur një zyrë për Luginën në komunën e Gjilanit, zyre e cila është menaxhuar nga vetë luginasit deri para disa muajsh. Pse nuk ka arritur të zgjedh problemin me shtetësi është absurde t’i ankohesh kryetarit të komunës sepse ky problem është i nivelit qendror, dhe tashmë janë krijuar lehtësimet, edhe pse jo siç është pritur.
E për hallet e problemet me të cilat ballafaqohen luginasit në Gjilan, e kanë këshilltarin komunal përmes të cilit mund ti ngrisin temat në Kuvendin Komunal.
Ka hapësirë për përmirësim tek çdo njeri e çdo politikan por, çdonjëri prej tyre është i njohur me kauza e tema të ndryshme, e Luta njihet si mik i Luginasve dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë. Dhe për këtë meriton mirënjohje, e jo ofendim.
Nuk është e drejtë të kritikosh paushall pa argumente e pa logjikë të shëndoshë. Thjeshtë të jemi të arsyeshëm e racional.