Filloristët vizitojnë Gjykatën Themelore në Gjilan

Filloristët vizitojnë Gjykatën Themelore në Gjilan

Mbi 40 nxënës të Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, kanë vizituar Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Me këtë rast, janë pritur nga Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi, i cili i ka njoftuar nxënësit për numrin e gjyqtarëve dhe procedurat e mbajtjes së një gjykimi.

Ndërsa, Administratorja e Gjykatës, Florina Jerliu, ka njoftuar nxënësit për stafin administrativ të këtij institucioni si dhe shërbimet që kryhen në këtë institucion.

Nxënësit e klasës së IV, të shoqëruar nga mësuesja e kësaj shkolle, Duresa Aliu, kanë shprehur interesim për punën e gjykatës, duke parashtruar një mori pyetjesh.

Ata kanë vizituar disa salla të gjykimit dhe departamentet e ndryshme.

Gjykata Themelore e Gjilanit, në baza mujore pret nxënësit e shkollave të ndryshme, në mënyrë që të marrin sa më shumë njohuri për sistemin e drejtësisë në vend.

KOMENTE