(2L ONLINE) – Ilir Tahiri, anëtar i kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se Lutfi Haziri, kryetar i komunës së Gjilanit, është njëri prej kryetarëve më të pafuqishëm në vend, kur është në pyetje qeverisja me komunë.
Tahiri vlerëson se ashtu siç janë duke shkuar punët nuk ka shpresë, siç thotë ai, për Luten që ta ndryshojë këtë fakt. Por, Tahiri mendon se vetëm një koalicion PDK- LDK, mund ta shpëtojë nga kjo gjendje këtë kryetar komune dhe “t’ia jap këmbët”, për të nis mbarë me veprime zhvillimore në Gjilan.
Pikërisht, për shkak të kësaj gjendje në të cilën ndodhet Haziri, ka një keqardhje për të dhe se sipas Tahirit, ai po kursehet nga më shumë kritikë, përkundër që ka vend sa të duash për t’u bërë kjo.
Tahiri i PDK-së vlerëson se në Komunën e Gjilanit, me qeverisjen e re të LDK-së, nuk është ka bëhet asgjë e jashtëzakonshme dhe se Gjilani veçse po vendnumëron kur është në pyetje zhvillimi i tij, sepse ka ngelur në atë zhvillim që e kishte bërë kur PDK ishte në qeverisje.
Tahiri thotë se e mirëkupton kryetarin e komunës Lutfi Hazirin që nuk po mund të dëshmohet sepse po e ka vështirë me qeverisë me komunë, pas një qeverisje të mirë të PDK-së në dy mandatet e saj.
“Shumë punë të mira janë bërë kur PDK, qeveriste me Gjilanin sa që tani kjo qeverisje nuk po ka diçka të veçantë me të cilën mund të dëshmohet. Asaj po i mjaftojnë me vizatua asfaltet e shtruara në kohën e PDK-së, pastaj të punojë edhe në rrugën e rangut të tretë, e ku për këtë të fundit, dorën në zemër, e pranojmë që ka bërë punë të mirë dhe e ka mbështetjen tonë si opozitë”, thotë Tahiri për Portalin 2L ONLINE.com
Ai thotë se të gjitha projektet e mëdha ose janë kryer ose janë nisur në kohën e PDK-së kështu që çfarëdo që po ndërmerr ky pushtet me Hazirin në krye, po mbetet një veprim i vogël që nuk po bie në sy.
Se qeverisja Haziri po vendnumëron, sipas Tahirit të PDK-së, është tregues edhe fakti i projektit të Varrezave të Dëshmorëve, projekt i iniciuar këtu e 14 vite më parë, por ja që kurrsesi t’i shihet fundi. Tahiri kujton se ky projekt ishte po ashtu premtim elektoral i Hazirit. Ai thotë se e mbanë për fjale ende kryetarin e komunës, që kishte thënë se projekti i Varrezave të Dëshmorëve do të jetë projekti i parë që do ta përfundojë kur të nis me qeverisë me Gjilanin dhe me të cilën edhe do të krenohet, por ja që nuk e ka nisur ende, thotë Tahiri. /2L ONLINE/