Anëtarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, do të vizitojë sot Kosovën, ku në kuadër të Javës së gruas do të diskutojë për rolin e grave kosovare në procesin e integrimeve evropiane.
Për të tretën herë në Kosovë, Instituti Kombëtar Demokratik, NDI, ka organizuar Javën e Gruas në Kosovë në bashkëpunim me Grupin e Grave Deputete.
Kjo veprimtari e cila ka filluar me 24 mars dhe vazhdon deri më 28 të këtij muaji, synon përgatitjen e grave për të qenë pjese aktive në shoqërinë civile, në jetën politike dhe për t’u bërë udhëheqëse të së ardhmes.
Qëllimi i këtij organizimi është të bëjë bashkë më shumë se 100 gra që përfaqësojnë partitë politike, institucionet qeveritare lokale dhe qendrore, parlamentin, biznesin, OJQ-të, median dhe akademinë që të diskutojnë lidhur me fuqizimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare dhe që gruaja në Kosovë sot të jetë më aktive në çdo sferë të jetës.