Ulrike Lunaçek, raportuese e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, ka deklaruar se zgjedhjet në Kosovë, me përjashtim të veriut, kanë qenë shumë më të mira se ato të mëparshmet. Në përgjithësi, nëse i krahasojmë këto zgjedhje me ato të vitit 2010, në pjesët jugore të lumit Ibër, janë shënuar përparime të mëdha.
”Këto zgjedhje kanë qenë shumë më të përgatitura, si në aspektin njerëzor ashtu edhe teknik. Edhe në këto zgjedhje ka pasur përpjekje për frikësimin apo influencimin e zgjedhësve, por strukturat kanë qenë shumë më të përgatitura dhe më të organizuara. Në terren ka pasur rreth 50 prokurorë, të cilët kanë ndërhyrë në rastet e nevojshme dhe kanë mbajtur nën masa arresti dhjetra persona të dyshuar për parregullsi të ndryshme. Kjo ka funksionuar shumë mirë dhe për këtë jam e gëzuar”, ka vlerësuar në një intervistë ekskluzive për DW, Lunaçek.