Zgjedhjet për Këshillat Kombëtare të Pakicave që jetojnë në Serbi do të mbahen më 26 tetor të këtij viti, kështu është vendosur sot në takimin që përfaqësuesit e pakicave patën në Beograd me zyrtarët shtetëror.
Kështu edhe në komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë do të mbahen zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve.
Për pjesëmarrjen apo jo në këto zgjedhje për KKSH pritet që ditëve në vijim të deklarohen subjektet politike shqiptare.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc (PVD), njëherit deputet popullor, Shaip Kamberi, në një prononcim për portalin informativ Titulli ka thënë se duke marrë parasysh që PVD ishte pjesëmarrëse dhe themeluese e Këshillit, nuk duhet pritur që këto zgjedhje të bojkotohen.
“Edhe pse duhet të pritet vendimi i kryesisë së partisë, PVD mund të pritet që të merrë pjesë në këto zgjedhje”, u shpreh Kamberi.
Ai me këtë rast shpjegoi se vërejtjet të cilat janë bërë në parlament nga deputetët shqiptar, janë aprovuar.
“Kemi kërkuar që KKSH të ketë sërish 29 anëtarë dhe ato ashtu kanë mbetur edhe pse më herët kishte propozime që numri të zvogëlohej”, tha Shaip Kamberi.
Këshilli Kombëtar Shqiptar u themelua në vitin 2009. Për themelimin e këtij institucioni angazhim të madh dhanë ndërkombëtarët, ndërsa nga subjektet politike shqiptare që veprojnë në Luginë ishte Partia për Veprim Demokratik.
Në organet e KKSH gjatë këtij mandati të parë ishin të përfshira anëtarët e dy subjekteve politike PVD dhe Unioni Demokratik Shqiptar, përderisa subjektet tjera shqiptare kishin bojkotuar këtë institucion.
Në zgjedhjet e 26 tetorit gara do të jetë edhe më e fortë, pasi pritet që në këto zgjedhje të ketë pjesëmarrje më të madhe të subjekteve politike shqiptare.
Këshillat Kombëtare të Pakicave janë të bazuara në Konventën e Këshillit të Evropës për të Drejtat Kolektive të Pakicave Kombëtare, në të cilën parashihen kompetencat në lëmin e arsimit, kulturës, informimit, përdorimit zyrtar të gjuhës dhe simboleve kombëtare.