Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Jonuz Musliu, do të kërkojë nga mandatari për formimin e qeverisë së re në Kosovë që ta themelojë Ministrinë për Shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Zyrat e kësaj ministrie, sipas Musliut, do të vendoseshin në komunën e Bujanovcit dhe nga ky vend do t’i përfaqësonte interesat e qytetarëve të Luginës së Preshevës.
“Kjo do të jetë reciprocitet për atë që Qeveria e Serbisë e ka ministrinë e saj që kujdeset për qytetarët e saj që jetojnë në Kosovë. Kështu do të duhej që edhe Qeveria e Kosovës ta ketë ministrinë për Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë”, ka thënë Musliu në një intervistë për gazetën Tribuna.