Nga Shaqir Shaqiri
Me theks të veçantë:
- 40 vjetorit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës
- 25 Vjetorin e shndërrimit të Këshillit të Rrethit të LPK-së në Njësite ushtarake të UÇK-së
Lufta politike dhe ushtarake e shqiptarëve kundër pushtuesit serb e jugosllav kishte përfshirë atdhetarët nga të gjitha viset e robëruara shqiptare, të cilët nuk u zmbrapsën përballë përndjekjeve, linçimeve, terrorizimit, burgosjeve dhe vrasjeve që u bënte pushtuesi. Përkundrazi, vrasjet dhe burgosjet e atdhetarëve shqiptarë, vetëm sa e forconin bindjen dhe ngrisnin gatishmërinë e të tjerëve, ndikueshëm përmes aktivitetit dhe frymëzimit patriotik, të cilët, urrejtja dhe mllefosja ndaj pushtuesit dhe me qëllim të rezistencës ndaj dhunës dhe dhunuesit serbo-jugosllav, kyçeshin dhe zgjeronin veprimtarin liridashëse e atdhetare gjithandej viseve shqiptare.
Gjatë gjithë historisë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtarë dhe në të gjitha organizimet që ishin bërë kundër gjithë pushtuesve edhe shqiptarët nga Lugina e Preshevës janë përfshirë pa ndashëm dhe aktivisht:
1. PARTIA NACIONAL DEMOKRATE SHQIPTARE (NDSH) – E formuar gjatë LDB në Prizren dhe e udhëhequr nga Gjon Sereçi si përfaqësues për Kosovë, e që kishte për qëllim bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përmes Ibrahim Kelmendit, Jetullah Seferit e Hilmi Qerimit, e kishte shtrirë aktivitetin e saj edhe në Preshevë.
2. PARTIA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E TOKAVE SHQIPTARE ME SHTETIN AMË– e formuar më 1957 nga Metush Krasniqi, do ta shtrijë aktivitetin e saj në Luginën e Preshevës përmes Mark Gashit, Sejdi Kryeziut e Qemajl Kallabes.
3. LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E KOSOVËS ME SHQIPËRINË – e themeluar në maj të vitit 1960 nga Ali Aliu dhe Kadri Halimi u shtri edhe në Luginën e Preshevës dhe njëra nga vatrat më të fuqishme ku do të zhvilloheshin aktivitetet ishte Karadaku i Preshevës.
4. LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE – e formuar në vitet e 60-ta nga Adem Demaçi po ashtu shtrihen me veprimtari në Luginën e Preshevës. Bashkë me bacën Adem apo me grupin e bacës Adem ishin edhe Jetullah Arifi nga Sefert e Ranatocit dhe Qamil e Selatin Nuhiu nga Rahovica.
5. GRUPI MARKSIST LENINIST I KOSOVËS – i formuar në vitin 1970 nga Kadri Zeka e Hydajet Hyseni, krijojnë celulat e kësaj lëvizje edhe në Luginën e Preshevës, bartës të së cilës ishin Xhevat Ajvazi dhe Reshat Avdiu.
6. ALBANIKOS – Një grup i fsheftë i atdhetarëve shqiptar, i formuar rreth viti 1976 dhe i udhëhequr nga Emin Krasniqi, – përmes Jonuz Musliut, Ramiz Arifit e Mustafë Ramadanit e shtrijnë aktivitetin edhe në Luginën e Preshevës.
6. LËVIZJA PËR ÇLIRIM KOMBËTAR TË KOSOVËS (LÇKK), një lëvizje Studentore, e formuar në vitin 1976 nga Xhabir Morina, Emrush Xhemaili, Imer Grainca, Bajrush Xhemaili e të tjerë, fillimisht e njohur si Lëvizja për Çlirim Nacional e Social, e nga viti 1980 si Lëvizja për Çlirim Kombëtar të Kosovës – përmes Bajrush Xhemajlit dhe Shaban Isufit do të formonin edhe celulën e parë në Bujanoc, duke angazhuar Njazi dhe Sejdullah Kadriun.
LÇKK do të shtrijë shumë shpejt veprimtarinë e fshehtë organizative në gjithë Luginën e Preshevës, duke e ngarkuar Halil Selimin me detyrë organizative dhe përgjegjësi drejtuese, deri në nivelin qendror të Organizatës.
LÇKK-së do t’i bashkohej edhe organizata ALBANIKOS e udhëhequr nga Emin Krasniqi.
Pavarësisht se në kulmin e këtij procesi do të arrestohen, Halil Selimi, Bajrush Xhemaili e Emin Krasniqi, madje pikërisht në finalizimin e këtij unifikimi, do të vriten Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, procesi i unifikimit do të vazhdojë dhe do të kurorëzohet me emrin e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), e cila pastaj do jetë dhe bartësja e vetme e përgjegjësive historike e të gjithë veprimtarisë çlirimtare, duke përfshirë edhe themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pos këtyre grupeve, në Luginën e Preshevës pati vetorganizime apo organizata autonome, që ishin themeluar dhe vepronin pa ndonjë lidhje nga Kosova. Ishte grupi i nxënësve, “Organizata Shqiptare Preshevare për Shkrimin e Parullave – Bajram Curri”, pastaj grupe të vogla nga dy tre persona si dhe veprime individuale, të cilët në një mënyrë apo tjetër iu kishin kundërvënë politikës hegjemoniste serbe.
LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
LPRK-LPK si organizatë e masave ishte shtrirë edhe në Luginën e Preshevës. Sipas shkrimeve të protagonistëve të kësaj Lëvizje, në vitin 1987, nga një grup studentësh formohet Këshilli i Rrethit të LPRK-së për Preshevë, në krye me Menderz Zenelin.
Veprimtarët e detyruar që të largoheshin nga Presheva gjithsesi vazhdonin aktivitetin në Degën Jashtë Vendit të LPK-së, jo vetëm si anëtarë të Këshillave të Rretheve, por me përgjegjësi organizative dhe udhëheqëse. Halil Selimi ishte vendosur në Shqipëri me detyrë të koordinimit të aktiviteteve nga brendia e Kosovës me Degën Jashtë Vendit si dhe koordinimin e aktiviteteve logjistike për luftën e UÇK-së, përmes Zyrës së LPK-UÇK-së në Tiranë, përgjegjës i të cilës ishte bashkë me Ramiz LLadrovcin. Adnan Asllani ishte kryeredaktor i gazetës së LPK-së “Zëri i Kosovës” si dhe ishte dizajnuesi i emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe përkundër goditjeve që pësoi gjatë vitit 1993 Këshilli i Rrethit në Preshevë me një strukturë të re udhëheqëse vazhdoi aktivitetin e tij në përputhje të plotë me programin dhe statutin e Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Me një fjalë, anëtarët e Këshillit të Rrethit të LPK-së në Preshevë, kishin krijuar një qëndrueshmëri organizative, kishin shtrirë ndikimin e përkrahjes së idesë së tyre në nivele të ndryshme të shoqërisë, kishin një gatishmëri të lartë për veprim dhe, kishin një përgatitje dhe aftësi bazike të veprimit luftarak. Veprimi organizativ i Këshillit të Rrethit të LPK-së në Preshevë në të shumtën e rasteve mbulohej me petkun e Partisë Demokratike Shqiptare
Në shtator të vitit 1997, në kuadër të organizimit të UÇK-së, nga udhëheqja e LPK-së në përbërje të Adem Grabovcit, Emrush Xhemailit, Gafurr Elshani dhe në prani të Halil Selimi,ngarkohet me përgjegjësi komanduese kryesuesi i KRr LPK-së në Preshevë, Shaqir Shaqiri, nga ku doli vendimi që: Këshilli i Rrethit të LPK-së në Preshevë të shndërrohet në Njësite Ushtarake të UÇK-së. Këshilli i Rrethit të LPK-së në Preshevë kishte shtrirë organizimin edhe në Gjilan si dhe ishte shumë afër që të shtrinte organizimin edhe në Kumanovë.
Në shkurt të vitit 1998, Njësitet ushtarake të UÇK-së në Preshevë, në këtë rast duke e pasur mbështetjen financiare të SHHB “Nëna Terezë”, konkretisht profesorit të nderuar, z. Ibrahim Kadriu, që ishte kryetar i Referendumit, arriti që të pajiset me armë të gjata. Ndërsa në Mars të vitit 1998, Zona e Tretë Operative e UÇK-së kishte arritur të krijojë edhe njësitet ushtarake në Kumanovë, të cilat u vunë nën përgjegjësinë komanduese të Ilmi Ajrullit, ndërsa fshati Runicë u shndërrua në pikë takim, u bë shtab i UÇK-së në Kumanovë, dhe që ishin nën Komandën e Zonës së Tretë Operative.
Riorganizimi strategjik i UÇK-së filluar në Tetorin e vitit 1998 do të krijoj një situatë të re, pas të cilës Zona e Tretë Operative do të ruaj strukturën e saj organizative duke u shndërruar në Njësi Vartëse, Batalion Mbështetës i Shtabit të Përgjithshëm dhe me lidhje të forta dhe të përditshme me Zonën Operative të Karadakut dhe të Llapit. U shndërrua në një korridor të furnizimit jo me kuptimin e ngushtë si Preshevë apo Lugina e Preshevës. Këtu bëhet fjalë për një Korridor furnizimi, që gjeografikisht kap vijën që nga kufiri i Shqipërisë, më saktësisht nga Bashkia Prrenjasit dhe Bashkia e Pogradecit (fshati Lin), për të kaluar në Strugë dhe përgjatë Maqedonisë, bazat e UÇK-së në Kumanovë, kalimi i kufirit që ruhej nga maqedonët dhe serbët, Preshevë dhe në brendësi të Kosovës, “Korridor i furnizimit” nëpër të cilën kaluan me qindra ushtarë e oficer të UÇK-së, kaluan me tonelata armatim e municion, mjete logjistike e sanitare.
Jo vetëm struktura por edhe bazat e Zonës së Tretë Operative, si në Preshevë, Gjilan dhe Kumanovë, mbeten jashtëzakonisht të rëndësishëm për të gjitha aktivitetet luftarake dhe politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një nga bazat që kishte kjo Zonë në Kumanovë, në shtëpinë e Rexhije dhe Bajram Bakiji, në Prill të vitit 1999 vendoset delegacioni i UÇK-së, që ishte në kthim e sipër nga Konferenca e Parisit. Gjatë qëndrimit disaditor, po në këtë shtëpi/bazë formohet Qeveria e Përkohshme e Republikës së Kosovës me Kryeministër Hashim Thaçi, Drejtorin e Drejtorisë Politikë të UÇK.
Më 14 Prill 1999, forcat serbe me mbi 500 pjesëtarë të policisë dhe policisë speciale dhe me një kompani prej më shumë se 13 tankeve rrethojnë një pjesë të Preshevës dhe të Rahovicës, kryesisht pjesën nga kalonte korridori që lidhte Kosovën me Preshevë. Në këtë rast u bastisën me qindra shtëpi, u terrorizuan të gjithë banorët, u arrestuan mbi 100 qytetarë, u rrahën dhe u malltretuan me pasoja vdekjeprurëse.
Lufta e UÇK mbaroi në Qershor të vitit 1999, dhe në këtë luftë pati më shumë se 150 ushtarë nga Lugina e Preshevës. Lugina e Preshevës mbeti jashtë këtij çlirimi dhe forcat serbe që po iknin nga Kosova po stacionoheshin në këto hapësira duke bërë po të njëjtat krime që kishin bërë në Kosovë.
Veprimtarët e LPK-UÇK nga Presheva Bujanoci e Medvegja u riorganizuan dhe formuan Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të udhëhequr nga Shefket Musliu-komandant, Mustafë Shaqiri zv. Komandant dhe Muhamet Xhemaili – shef Shtabi. Lufta e UÇPMB-së zgjati plot 18 muaj, ndërkombëtarizoi çështjen e pazgjidhur politike të Luginës së Preshevës dhe në Maj të vitit 2001, pas Deklaratës së Demilitarizimit e njohur si Marrëveshja e Konçulit, i lë hapësirë dhe i jep përparësi mjeteve politike për të vazhduar zgjidhjen e problemit shqiptar në Luginë të Preshevës.
Lugina e Preshevës nuk ka asnjë ndarje gjeografike dhe demografike nga Kosova dhe në të gjitha organizimet që ishin bërë kundër gjithë pushtuesve për çlirim dhe bashkim kombëtar, Lugina e Preshevës dhe Kosova, i kanë të përbashkëta:
- Veprimtarët politik,
- Qelitë e burgut,
- Luftën për çlirim,
- Plagët e lirisë,
- Ushtarët çlirimtarë
- Dëshmorët dhe
- Heronjët
Të përbashkët nuk e kanë vetëm lirinë, ani pse derdhëm gjak bashkërisht edhe në Kosovë edhe në Luginë.
Deri sa sot Kosova është e lirë dhe prosperon anëtarësimin në BE dhe NATO, Lugina e Preshevës është e robëruar dhe po përballet me politikë permanente gjenocide nga Serbia. Deri sa Kosova u garanton të drejtat më të mëdha që njeh historia e njerëzimit për pakicat serbe, Serbia ua ndalon çdo simbol kombëtar shqiptarëve, madje i burgos dhe i kërcënon, Serbia ua pasivizon adresat dhe i çregjistron shqiptarët nga libri amë, i detyron nxënësit shqiptar të këndojnë himnin serb, të mësojnë historinë serbe dhe rrjedhimisht t’jua imponoj historinë e shtrembëruar për prejardhjen e tyre.
Ndërsa Kosova, në emër të reciprocitetit ua vështirëson lëvizjen e lirë shqiptarëve të Luginës në drejtim të Kosovës, mos të flasim për vështirësitë e lëvizjes së lirë të mallrave me të cilën ata pak banorë sigurojnë ekonominë familjare të tyre..
Luginën e Preshevës u ndau nga Kosova politika hegjemoniste dhe kriminale e shtetit okupues serbo-jugosllav. Oportunistët politik të kohës së sotme po përpiqen ta relativizojnë çështjen e pazgjidhur politike, sociale, kulturore dhe kombëtare të Luginës së Preshevës me veprime humanitare e me thirrje shterpe për të drejta qytetare.
Është alarmante dhe duhet ta kuptojmë të gjithë, në veçanti Prishtina zyrtare, se banorë rezident në Luginë të Preshevës ka 50% më pak se sa kishte në vitin 1999/2000 dhe vazhdon me një trend të lartë të shpopullimit. Prandaj, Lugina e Preshevës kërkon zgjidhje politike dhe tani është momenti i fundit për një qasje shumë ma serioze në mbështetje të saj.
Mos harroni, Lugina e Preshevës është Kosovë e pa çliruar. Çlirimi dhe bashkimi i saj me Kosovë na obligon të gjithëve, pa dallim përkatësisë sonë partiake apo fetare.
Lavdi dëshmorëve të lirisë.
Gjilan,
28 Shtator 2022
Autori është ish i burgosur politik, udhëheqës i KRR të LPK-së në Preshevë, Komandant lokal i UÇK-së, dhe zëdhënës i KP të UÇPMB-së
Foto: FOTO FARI