Edhe komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, si edhe tërë Serbia janë në heshtje parazgjedhore. Heshtja parazgjedhore do të zgjasë deri në mbyllje të vendvotimeve, të dielën, më 24 prill, në ora 20, dhe deri në këtë kohë pjesëmarrësit në fushatë parazgjedhore nuk munden që nëpërmjet mediave të dërgojnë mesazhe politike e as të publikojnë programet e tyre.
Gjatë kësaj periudhe janë të ndaluara propaganda zgjedhore nëpërmjet mjeteve të informimit publik, mbajtja e tubimeve publike e publikimi i vlerësimeve të rezultateve të zgjedhjeve, dërgimi i porosive tek votuesit si dhe vendosja e materialeve propaganduese në largësi më të vogël se 50 metra nga vendvotimet.
Siç dihet në zgjedhjet lokale në komunën e Bujanocit do të marrin pjesë 10 lista zgjedhore, në komunën e Preshevës tetë lista, ndërsa në komunën e Medvegjës nuk do të mbahen zgjedhjet lokale.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, në këto zgjedhje do të marrin pjesë gjithsej 20 lista zgjedhore, raporton Titulli.com.