Veç mendjet e vogla diskutojnë për individët. Kosova ballafaqohet tani e dy dekada me të tilla mendje, të cilat janë faktorizua përmes luftës kundër individit, dhe jo garës përmes ideve.
Shkruan: Ardian Azemi
Lufta ndërmjet grupimeve politike, për individë të caktuar, është shtrirë suksesshëm në gjithë Kosovën, në çdo rreth shoqëror e familjarë. Të gjithë i sulen individit, ndërsa përfiton politika e humbet qytetari dhe Kosova. Si rezultat i luftës kundër individit, partitë politike, në esencë, programet e tyre vetëm se ia kanë ndryshua titujt, ndërsa s’kanë bërë asnjë ndryshim tani e thuajse dymbëdhjetë vjet me radhë.
Kjo ndodh për shkak të përshtatjes me rrethanat, sepse jo shume ndryshime janë bërë, ndërsa nevojat dhe prioritetet mbeten po të njëjtat e para dymbëdhjetë vjetëve.
Duhet ta kemi të qartë një gjë; shumë fytyra të rëndësishme në politikë, e që për fatin e keq të Kosovës, janë faktor, po të mos e kenë inatin dhe luftën me individë në politikë, ata mbesin cullak, sepse s’kanë çka ofrojnë më, dhe asnjë formë tjetër nuk iu mbetet të mbijetojnë në politikë. E keqja nuk përfundon këtu, përveç politikanëve, ka edhe shumë analistë e gazetarë, biznesmenë e profesorë që e përkrahin me ngulmë luftën ndërmjet individëve, sepse edhe këta arrijnë të mbijetojnë në formë zingjirore me ta.
Në Kosovë nuk flitet për qeverinë, flitet për kryeministrin si individ. Nuk flitet për kuvendin e Republikës, por flitet për grupime për interesa të ngushta e me plotë inate e mllefe kundër njëra-tjetrës. Nuk flitet për presidentin si institucion por flitet prapë për individin. Kjo e pasqyron më së miri se çka realisht mund të ofrojnë këta njerëz të mbushur me urrejtje.
Në vendin tonë dominon debati për individin, jo për idetë, as propozime. Flitet për dialogun, kundërshtohet ideja për shkëmbim, ndarje, korrigjim të kufijve, ndërsa askush nuk ofron ide se si duhet të bëhet më e mira për këtë çështje. Të gjithë flasim për gjithçka, askush s’kemi asnjë informacion për asgjë. Mbizotron ideja se; nuk e keni mirë, ama si duhet me bë, nuk e di as unë!
Përfundimisht duhet mënjanuar luftën kundër individëve, me i lënë anash inatet e mllefin, dhe të ofrojmë propozime për çështje të caktuara, ide, dhe garën ta bëjmë me programe, duke mos i mitizuar liderët por ta lexojmë ofertën dhe të kërkojmë llogari.
Nëse Kosova do të përballet me garë përmes programeve, ideve, atëherë do të krijohej pasiguri e madhe tek politikanët dhe ata që udhëheqin me shtetin. Lufta kundër individit, dhe mitizimi i liderëve, vetëm sa ka me i fuqizua të sulmuarit dhe kësisoj bëhen të paprekshëm.
Përndryshe, protestat e organizuara për arsyet tanimë të njohura, reagimet portaleske me plotë inate, konferencat e përditshme për media, as nuk kanë me ndryshua gjendjen, as nuk kanë me prodhua efekte pozitive për të mirën e përgjithshme.
Përkundrazi, këto veprime që bëhen kryekëput për agjenda të caktuara partiake, veç çka kanë me i forcua pozicionet politike tanimë të njohura për opinionin, dhe kanë me e zbeh imazhin e shtetit karshi botës së përparuar.