Gianni de Biasi duket se duhet t’i bëjë planet pa Loret Sadikun në eliminatoret e Europianit 2016. Mbrojtësi kosovar i cili ashtu siç u tha do te luante vetëm një ndeshje me Kosovën për t’u rikthyer më pas në kombëtaren kuqezi, ka vendosur të mos rikthehet nën urdhërat e De Biasit.
Këtë e konfirmon trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki që sqaron se mbrojtësi do të jetë figura qëndrore e skuadrës së tij. Sipas Bunjakit, ai po negocion me Helsinborgun që ta lërë të lirë lojtarin për datat e miqësoreve të Kosovës, dhe prania e Sadikut në këto ndeshje përjashton automatikisht një rikthim të tij te Shqipëria.
Kështu, pas Ujkanit, Loret Sadiku është largimi i dytë nga kombëtarja kuqezi që i bashkohet përfaqësueses së re të Kosovës e cila ka 2 miqësore për të luajtur, me Turqinë dhe Senegalin tani në Maj.