Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, ka bërë me dije se nga ana e Policisë së Kosovës janë arrestuar dy të dyshuarit, të mitur, pasi që dyshohet se në bashkëveprim kanë sulmuar me mjete të forta (shkop druri) viktimën, po ashtu i mitur, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore në kokë.
“Si pasojë e lëndimeve viktima ka marrë edhe ndihmën mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan ku pas marrjes së ndihmës së parë është liruar në shtëpi. Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në lokalet e stacionit policor ku janë intervistuar në prezencën e prindërve dhe avokatëve mbrojtës”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, me vendim të Prokurorit të Shtetit njërit nga të dyshuarit besohet për shkak të gjendjes jo të mirë mendore është liruar në procedurë të rregullt ndërsa i dyshuari tjetër është ndaluar në qendrën e mbajtjes për 24 orë.
Rasti kalon në Prokurorinë Themelore.