Maja Milanoviq, drejtoreshë në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit e ka bllokuar procesin e privatizimit të pronave shoqërore në katër komunat e veriut. Ajo po e shfrytëzon të drejtën e vetos që i është krijuar në mungesë të tre anëtarëve të tjerë në bordin e AKP-së.
Aktualisht janë vetëm pesë anëtarë të bordit, ndërsa duhen pesë vota që një ndërmarrje të futet në procesin e likuidimit. Pas votimit për futjen e një ndërmarrjeje shoqërore në procesin e privatizimit, AKP-ja ka të drejtë t’i shesë asetet e ndërmarrjes përmes procesit të likuidimit, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërmarrjet shoqërore që kanë prona në veriun e vendit dhe nëpër vendbanime serbe nuk janë përfshirë në procesin e likuidimit që nga muaji janar i këtij viti. Për pasojë, AKP-ja po vazhdon t’i shesë vetëm ato asete të ndërmarrjeve që më parë kanë hyrë në procesin e likuidimit.
Burimet e gazetës kanë shpjeguar se Maja Milanoviq vazhdimisht e ka kundërshtuar shitjen e aseteve shoqërore që janë nëpër vendbanimeve me shumicë serbe.