Liria dhe njerëzia shkojnë bashkë dhe njëra pa tjetrën nuk munden. Për liri duhet pas njerëzi si dhe për njerëzi duhet pas liri.
Ta sjellësh kah ta sjellësh, njëra duhet ta ketë tjetrën, aq sa ajo është, pa atë tjetrën nuk mund të jetë. Nuk mund të jetë njerëzia pra dhe të mos jetë liria, si dhe nuk mund të jetë liria e të mos jetë njerëzia.
Femi Halimi
Ka në të vërtetë këtu në mes një diçka që plotëson këto dyja dhe një kohë kaluese prej njërës deri te tjetra. Në mes lirisë dhe njerëzisë janë do punë që janë me kusht që liria të jetë, ose që njerëzia të bëhet. Kështu liria, kusht i jetës me kuptim, kushtëzohet me njerëzi, si dhe njerëzia kushtëzohet po kaq me liri.
Si ka mundësi kështu këto dyja të kushtëzohen dhe të premtojnë njëherit, se nëse njerëzit i bëjnë, do të jenë me të vërtetë të lirë?! Sigurisht se po dhe me të vërtetë, liria bëhet me njerëzi si dhe njerëzia bëhet me liri!
Mirëpo, bëhet pyetja, -ka njerëzi pa liri, si dhe liri pa njerëzi!? Ka popuj të lirë, por ka popuj pa liri. Ka popuj që “mbyten” së luftuari për liri por nuk çlirohen me qindra vjet, kurse ka popuj tjerë që nuk luftojnë fare dhe janë të lirë! Ka që nuk e dijnë as çka është liria sepse me mijëra vjet kanë qenë gjithmonë robër, si dhe ka popuj që kurrë nuk kanë qenë robër të askujt dhe për këtë nuk e dijnë as çka është liria!
Është interesant kjo, puna e lirisë dhe njerëzisë! Ka shumë mësime nga to dhe shumë tregime e legjenda! Gjithë këto janë për të mësuar e mbajtur mend sëpaku diçka me rëndësi, rëndësi shumë të madhe, sa nga e cila varet jeta jonë. Ka kështu mësime dhe provime dhe ka sa të duam, veç a po duam të mësojmë!? Pati o nuk pati liri, pati o nuk pati njerëzi, ka mësime dhe provime, për të cilët janë mësimet e përkujtimet. Kështu liria dhe njerëzia u shoqëruan gjithmonë dhe u varën njëra nga tjetra, dosido në varësi të njerëzve.
Ka mandej liri njerëzore, por ka edhe liri nacionale! Ka edhe liri tjera, por këto dyja janë dy pamjet e saj të përhershme me të cilat përarohet jeta jonë dhe ditët e jetës në liri janë me kuptim dhe të dashura. Sigurisht se në liri ditët janë të dashura, sepse përndryshe nëse jeta jonë ka vetëm net, do të ishte tmerr. Jeta pa liri është kështu, me netë –pa ditë dhe me të këqija tjera pa fund.
Ka edhe liri tjera, por liria njerëzore dhe liria nacionale janë ato që na u deshën gjithmonë, sepse këtu patëm një mangësi gjithmonë. Dymijë vjet diçka nuk ishte në rregull me jetën tonë, as nacionale, as njerëzore. Ç’e do jetën, pa liri?! Dymijë vjet megjithkëtë ishin mjaftueshëm apo jo për mësim?! Nuk po dijë!
Nuk po dijë, nga sa po shoh tani këtu, në mes nesh, në jetën tonë, të çliruar nga ai peng i ankthshëm dymijë vjet, më 1999, me tri nëntëshe shekujsh pas njëshit prijës me domethënie të sigurisë për lirinë e përgjithmonshme tani e tutje! Me të vërtetë liria erdhi, kështu si erdhi, -si na gjeti dhe si e pritëm ne vetë! Është liri kjo dhe kështu duhet ta pranojmë, sepse edhe liria na pranoi neve kështu si ishim!
Liria mandej siç ishte fjala në fillim ka kusht të vetën njerëzinë, që do të thotë se lirisë duhet ditur vlerën dhe çmimin, duhet dashur, mbrojtur e ruajtur, siguruar, betuar për të e në të, paguar sa të jetë nevoja –siç u pagua për të derisa erdhi e kur erdhi, -si dhe kjo liria të mbahet në një fron të përaruar e të nderohet e respektohet ditë e natë pa ndërprerë kurrë.
Liria kjo mandej varet prej njerëzve, se si sillen, si mbahen, si maten e shmaten, si tërhiqen në të keq e bëhen bashkë në të mirë, si dhe përulen para altarit të lirisë në kohë të vet. Nuk ka ashtu e kështu me lirinë, ose se erdhi tani dhe nuk mund të merremi me të tani e të lëmë punët tjera, ose se liria erdhi dhe në rregull është kjo punë, e hajde tani ngani pas punëve.
Në rregull se duhet ngarë pas punëve, por në jetë ka do parime dhe rregulla, që nëse nuk mbahen e respektohen, pa to kjo liria prishet! Po, prishet liria, me sjellje të pahijshme, me prapështi, e mbi të gjitha me padrejtësi nëmes vete.
Ndarjet, përçarjet, padrejtësitë në gjithë rrugët e jetës dhe ndaj të gjithë njerëzve, e të të gjithë njerëzve ndaj njëri tjetrit, -kush ku e si të mundet të bëj të padrejtën…Kjo kështu e prishë lirinë, -thjesht është një rrugë në theqafje, pas një kohe jo fort të gjatë.
Nuk ka mundësi kështu që liria të jetë dhe njerëzit të e bëjnë të errët jetën, rrugët e shkuarjet e ardhjet, sjelljet e qëndrimet. Nëse nuk sillen mirë njerëzit nëmes vete dhe nëse heqin vlerat njerëzore,edhe liria hiqet. E vërtetë është se liria nuk duron të keqën dhe padrejtësinë dhe nëse njerëzit me çdo kusht e duan të keqën dhe e lënë të mirën, edhe liria pas do kohe tërhiqet.
Një profet i kohëve të lashta, në librin e tij përshkruan, si në vegim, Perëndia ia mundësoi të shihte si po tërhiqej ai Perëndia nga Tempulli, ku ishte në mes të popullit të tij. Kështu ky profeti pa rend këtë spektakël, spektakël të dhimbshëm, si Fryma e Perëndisë u tërhoq nga Tempulli, përderisa ky e ndjenjte një dhimbje e tmerr të papërshkrueshëm në qenie të vet për këtë.
“Si ka mundësi kjo kështu”, -mendoi ai atëherë vetë me vete, “që Perëndia, vetë Ai, me gjithë vendosjen e tij për të qenë nëmes njerëzve, të detyrohej të tërhiqej nga mesi i njerëzve, ku erdhi e ku qëndroi, “Mbret” nëmes tyre?! Çka ndodhi që Perëndia u tërhoq nga mesi i njerëzve, cila bëmë e njerëzve e shtyti Atë të Shenjtin që të tërhiqej, me zemërim, nga dashuria e tij e perëndishme për njerëzit e tij?”…
Ai profeti mandej kuptoi me kohë se forca që detyroi vetë Perëndinë të largohej nga prania nëmes njerëzve ishte vetë sjellja përbuzëse e njerëzve ndaj Perëndisë. Përbuzja pa ai se kishte forcë të largonte edhe vetë Zotin dhe nga kjo u tmerrua dhe mbeti sikur pa besim dhe pa spjegim për këtë. Forcë pa kufi dhe e vetme është forca e Zotit mendonte dhe besonte ai, por kjo përbuzja pa se po ishte njësoj me një forcë pa kufi për të keq, por që po e bënte të vetën.
Ai atëherë nuk mund e kuptonte këtë dhe për këtë priti gjatë e shumë herë fjalën dhe spjegimet e Perëndisë për këtë. Gjithë këtë e kemi në librin e tij të madh dhe në të mësimin për vete, sëpaku nëse duam të mos mbetemi pa këtë që tani disa po e quajnë liri e disa jo! Ishte ky Ezekieli, që na la shkrimin për këtë, për besimin e çmimin e lirisë dhe jetën, ose për humbjen përmes përbuzjes.
Përbuzja pra ndodhë kur njerëzit janë të lirë, se përbuzje nuk mund të ketë në robëri, sepse i përbuzur në një mënyrë është ai vetë robi. Në liri vjen mundësia e përbuzjes dhe nëpërkëmbjes, mospërfilljes, e me këto edhe përzënies së lirisë nga mesi i njerëzve a kombit. Po bëjmë llaf në këto ditë të mëdha të verës, që janë sikur ditët e përjetësisë të atyre që fitojnë atë, në një kënaqësi të pafund.
Kështu, pra të kënaqësisë, sepse edhe liria kështu ka një kënaqësi, me të vërtetë, sepse poqëse është kjo liria nëmes nesh por ne nuk kemi kënaqësinë e saj, atëherë e këtë herë përse kështu është kjo liria këtu nëmes nesh ? Çka na duhet liria, edhe në qoftë, nëse nuk kemi kënaqësi dhe nuk e çmojmë? Ose e pranojmë se është, pak a shumë, por ndërkohë e lëmë njerëzinë krejt?
Çka duhet liria pa njerëzi? Kujtë i duhet liria, nëse nuk ka njerëzi? Nëse secili secilit i bën gropën e ia mendon të keqën, çka lypë liria nëmes nesh? Si mund të shkojnë bashkë liria dhe krimi e armiqësia nëmes vete? Nëse njerëzit nuk maten e mbahen, përmbahen e mendohen, e nëse synojnë orë e çast të bëjnë veç të keqën, të urrejnë e kurrë mos të nderojnë kënd, -çka na duhet liria?!
Me të vërtetë, nëse kjo punë përfundon këtu, liria nuk na duhet asgjë, e le të shkojë se nuk na duhet! Jem mësua ne fundi i fundit dymijë e tepër vjet pa liri, -për më tepër më shumë e ndjejmë vetën të lirë kur jemi rob se kur jemi të lirë! Kështu, për fund të krejt kësaj pune, -llaf po bëjmë, -liria e njerëzia po shkuakan bashkë dhe njëra pa tjetrën nuk po mundëkan.
Kusht për të qenë liria edhe tutje në mes nesh, po ma merr mendja, po u dashka pak njerëzi, respekt nëmes vete, njohje, vizita, ndalje nga të këqijat njëri tjetrit, e mbi të gjitha, nderim lirisë, që është nëmes nesh. Se, po mendoj, -po ndodhi për kohë të gjatë që këto farë sjellje si po janë kështu tek ne të mos ndalen, po droj se kjo liria do të tërhiqet nga froni i saj këtu nëmes nesh e do të shkojë. Punë mendje është kjo, -sepse njerëzit janë të paparashikueshëm edhe kur janë në pyetje jetët e tyre! E liria, mu liria, është matja më e mirë e njerëzve.
Edhe një: ai populli i Ezekielit, me vetë mbretin, mandej u penduan, u ndalën, deshën të tregonin se ishin njerëz mirënjohës, por me sa dukej atëherë, nuk e kishin fort përnjëmend dhe nuk besonin se gjithë ajo forcë e pasuri që kishin mund t’ iknin nga dora, siç u thoshte njeriu i tyre profeti. Te ne por me sa po shoh nuk dijnë as të kthehen, as të pendohen, as të ndalen. Nuk ka kush i ndalë as kush merret vesh këtu më kush me kënd.
Që liria erdhi -dihet si erdhi, po edhe pse erdhi -dihet, -por nuk është e qartë, a mund të largohet kjo liria, -njëherë që erdhi, -dhe këtu është krejt çështja!? Të gjithë që janë zhytë në panjerëzi nuk ka kush i nxjerr më, dhe kjo liria sikur mirë se erdhi për ta, -jo për liri që është, por për të bërë të keqën e pabesinë, në luftë të përgjakshme pas pasurimit e sundimit.
Nuk di, ndoshta liria nuk hiqet për këto dhe për asgjë më, por po droj, se mund të jetë edhe ndryshe, e jo se po e dëshiroj, a po kërkoj hakmarrje zemërimi e smirë. Mirë është të flitet njëherë, por dy herë të flitet, duhet shumë herë të kërkohet e të ketë nevojë njëmend për të!
Ai populli i Ezekielit mandej, -pasi Perëndia u largua nga Tempulli, -e çoi ashtu këmbë e krye edhe do kohë, si dashti vetë, por mandej një ditë të vetme, i rrethoi armiku dhe i pushtoi. I shthuri e i shkatërroi e nuk ua la çokun kund. I çoi të gjallët robër në stepa e shkreti të lindjes dhe i shpërbleu si shpërblen armiku, -pasi përbuzën atë që nuk guxon kush as nuk duhet të përbuzë. Në vend të lirisë e të gjitha të mirave që kishin, përfunduan në shkretërim e robëri, me të gjitha të zezat, për së gjalli. Kjo u erdhi, ngase përbuzën, -të mbajmë mend mësimin.
Si ndodhi kjo pastaj, më mirë e përshkruajnë profetë të tjerë, që në kohën e tyre ndodhi kjo shthurja e madhe, e ardhjes së armiqve: ata, armiqtë, sëpari zunë krerët e tyre, i vranë krejt rend me rend, mandej të lartët e vendit, e duke rënë teposhtë, deri tek të imëtit, të rëndomtit, të njësojtit, -që nuk kanë, as nuk dinë, as nuk u zihet për të madhe për asgjë, sepse të tillë janë, -për të mos ua zënë asgjë për të madhe, se të tillë janë. Me rëndësi për armiqtë e tyre ishin ata të mëdhenjtë, që i zhdukën me rrënjë të tërë përgjithmonë dhe vendin ua bënë shkret. Llaf sa për të bërë veç, në këto ditë të stërbukura vere!