Shoqëritë kanë nevojë për rregulla, në mënyrë që të dihet çka është e mirë e çka është e keqe. Rregullat bëhen lehtësisht, sepse ato shkruhen dhe po aq lehtë edhe kërkohet të respektohen. Nëse e bëjmë këtë, nuk domethënë se e kemi kryer punën, nëse ato nuk respektohen nga shoqëria.
Shkruan: Ardian Azemi
Për ti respektua ato, duhet që në nisje të edukimit e arsimimit të ndërtojmë bazën. Kjo bëhet duke mendua shteti për këtë. Japonia njihet si shtet i fuqishëm ekonomik, me arsim cilësor e shoqëri të edukuar, shëndetësi të përparuar e papunësi shumë të ultë. E kanë arritë këtë duke punuar shumë e menduar vazhdimisht për të ardhmen. Në Japoni, që nga klasa e parë e deri në të pestën, nxënësit mësojnë një lënd; Rruga drejt moralit.
Që një shoqëri të jetë e moralshme, nuk domethënë të jetë domosdo praktikuese e një apo besimi tjetër fetarë. Morali është parim, është rregull dhe sjellje që një shoqëri ose bashkësi, e ka paravendosur dhe e ka pranuar si një mësim i vlefshëm, si mirësjellje dhe etikë duke e konsideruar si bazë e fuqishme dhe e pashembur për të ardhmën e një shoqërie.
Kosova ka debatuar për Mësimbesimin për fetë në shkolla, por asnjëherë për mundësitë e futjes së një lënde të posaçme për moralin. Shqiptartë jemi një popull i (zh)veshur moralisht, dhe nevoja për tu marrë me këtë çështje është edhe urgjente. Jemi shoqëri që të mirat individuale duam ti ndërtojmë mbi fatkeqësitë e të tjerëve. Ne as nuk mendojmë e as nuk veprojmë kolektivisht, kësisoj nuk na bëhet vonë nëse shkelim tjetrin për tu ngritur vet.
Shteti duhet të veproj sot në mënyrë që efektet të vërehen pas disa vitesh. Nuk mund ta ndërtojmë një shoqëri të moralshme e të shëndosh, të edukuar mirë e të përgjegjëshme, të sinqertë e humane, nëse nuk investojmë për këtë që në hapat e parë. Bash sikur Japonia!
Nuk mund të ndërtohet një shoqëri e moralshme përderisa çdo ditë sheh e dëgjon, ballafaqohet e atakohet me gënjeshtra e dredhi, fjalor banal e mungesë respekti, dhunë fizike në familje e dhunë psiqike në rrethe shoqërore. Ne çdo ditë investojmë për ta ruajtur tharmin e një shoqërie të devijuar, një shoqërie të shkatërruar e te zhveshur moralisht. Neve sikur na pëlqen të mos provojmë ta ndryshojmë gjendjen, sepse saktësisht duam të jemi edhe të nënshtruar e përbuzun, por edhë ti nënshtrojme dhe përbuzim të tjerët. Sikur kemi dëshirë për tu mos u ngritur asnjëherë.
Fëmijtë tanë duhet të mësojnë për moralin, për etikën, ndërgjegjjën. Veç kështu do të kemi mundësinë ta krijojmë një shoqëri që nuk vjedh e mashtron, që nuk rrenë e fyen, injoron e përbuzë, që nuk nënshtron e nuk nënshtrohet, që nuk manipulon e manipulohet. Një gjeneratë e moralshme, domethënë një shpresë për vendin. Dy gjenerata të moralshme, domethënë se shteti dhe e ardhmja e tij është i sigurtë.
Nuk duhet t’ia kemi frikën të ardhmes me një shoqëri të moralshme. Askujt si takon e gjitha dhe përgjithmonë. Ne jemi kalimtarë në këtë jetë, krejt çka mbetet është vepra, mirësjellja, ajo që kemi bërë për familjen dhe shoqërinë. Andaj, ekziston mundësia për ta ndërtuar një familje dhe shoqëri të edukuar mirë, të moralshme, të arsimuar e përparuar. Le ta bëjmë!