Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se kjo nismë, pavarësisht se ka një kohë të shkurtë që është themeluar, është e gatshme për zgjedhjet parlamentare. Ai ka treguar se ka interesim të madh të qytetarëve për t’iu bashkuar Nismës.
Fatmir Limaj ka thënë se, pavarësisht se e ka formuar subjektin e ri, Nismën për Kosovën, nuk e ka ndryshuar vizionin për ndërtimin e shtetit. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se qytetarëve të Kosovës ua ka sjellë një alternativë të re politike, e cila ka synim përmirësimin e gjendjes në vend. “Kur pamundësohet hapësira për ndryshim, duhet gjetur rrugë të tjera për ta jetësuar vizionin. Vizioni im për ndërtimin e vendit nuk ka ndryshuar, por ka munguar hapësira. Nisma ofron këtë për të gjithë: hapësirën për veprim”, është shprehur Limaj.
Nisma për Kosovën nuk ka bërë ende dy javë që është themeluar e, sipas Limajt, ka interesim të madh nga qytetarët për t’iu bashkuar. Ai ka treguar se interesim për Nismën për Kosovën kanë shprehur mbi dhjetë deputetë të partive të ndryshme në Kosovë. Limaj ka treguar se Nisma është e gatshme për zgjedhjet parlamentare. Ai ka thënë se nuk është problem për Nismën se kur do të mbahen zgjedhjet, në qershor apo shtator, por ka bërë thirrje që procesi zgjedhor të jetë demokratik, të respektohet vota e qytetarëve. Duke folur rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve, Limaj ka thënë se gjithçka do të merret vesh pasi të vendosë vota e qytetarit. E kur është pyetur rreth mundësisë së një koalicioni me PDK-në, ai ka thënë se Nisma koalicionet do t’i bëjë mbi bazën e parimeve dhe vlerave të saj.
Limaj ka thënë se Nisma për Kosovën do të hyjë në zgjedhje për ta marrë besimin e qytetarëve, pastaj do ta nxjerrë kandidatin për kryeministër. “Vizioni i Nismës për Kosovën nuk ndan qytetarë. Pretendojmë të kemi afër njerëz të profileve të ndryshme, me ambicie për ta ndërtuar vendin. Duam që vizioni ynë të shtrihet te çdo qytetar i këtij vendi. Të gjithë qytetarët e dinë se angazhimi im ka qenë në shërbim të vendit. Koncepti ynë politik është që nesër në zgjedhje çdo qytetar i këtij vendi, pa dallim se cilës parti i ka takuar deri tash, apo si ka votuar dje, t’i bashkohet Nismës për Kosovën”, ka thënë Limaj.