“Asnjë veprim i yni si institucione të komunës së Gjilanit, nuk ka ndikuar në rritjen e shumës së faturave të tatimit në pronë për vitin 2023. Ne nuk kemi ndryshuar as normën tatimore, që është kompetencë e komunës”, ka thënë Riad Rashiti, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit.
Ai ka ofruar sqarimin e tij lidhur me këtë, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Gjilanit, që pas pranimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023, mund të bëjnë ankesë nëse mendojnë se vlera e pronës së tyre që është bërë nga Ministria Financave, nuk është në harmoni me vlerën reale të tregut, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Më tej në ktë sqarim të tij thuhet:
Ne kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuara që si institucione komunale të mos bëjmë veprime që rrisin taksat komunale apo tatimin në pronë për qytetarët e Gjilanit, sidomos në këtë kohë të krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shumicës së artikujve.
Rritja e faturave të tatimit në pronë për vitin 2023 është bërë si rezultat i ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave dhe Transfereve, bazuar në çmimet e tregut dhe që janë të kategorizuar sipas zonave urbane dhe rurale.
Sipas vlerësimit të bërë nga Ministria e Financave për pronat në komunën e Gjilanit, është rritur vlera e objekteve të banimit, afarizmit dhe parcelave, sipas zonave të caktuara të komunës.
Sa për sqarim, këto janë disa nga ndryshimet – rritjet në vlerësim të pronave në zonën e parë të Gjilanit;
Për shtëpitë familjare për 1 m/2 është rritur vlera prej 425.00 euro në 470.00 euro.
Për banesa për 1 m/2 ka rritje të vlerës prej 475.00 euro në 650.00 euro.
Për parcela në zonën e parë, prej 200 euro në 300 euro për 1 m/2.
Pra, ka rritje të vlerësimit të pronave në objekte banimi prej rreth 37%, ndërsa për parcela deri në 50% rritje të vlerës.
I ftoj të gjithë qytetarët e Gjilanit, që pas pranimit të faturave të tatimit në pronë për vitin 2023, mund të bëjnë ankesë nëse mendojnë se vlera e pronës së tyre që është bërë nga Ministria Financave, nuk është në harmoni me vlerën reale të tregut.
Ankesat mund të dorëzohen në komunë, ku zyrtarët komunal do të ju udhëzojnë për procedurat, ndërsa ato shqyrtohen përsëri nga ana e Ministrisë së Financave. /2LONLINE/