Me ndeshjet e javës së nëntë ka përfunduar edhe stinori vjeshtor i kampionatit në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Gjilan.
Tashmë janë mësuar edhe skuadrat që do ta bartin epitetin e skuadrës kampione të dimrit.
Këtë epitet do ta bartin Dardana te 13 vjeçarët, Drita te U15 dhe Arbëria te 17 vjeçarët.
Dardana nga Kamenica ka arritur me sukses ta mbyll pjesën e parë të kampionatit në pozitën e pare me 24 pikë pas nëntë javësh në stinorin vjeshtor të kampionatit.
Me shifra fantastike e kanë mbyllur këtë gjysmë edicion edhe pionierët e Dritës.
Të udhëhequr nga Ardian Latifi, ish-futbollisti i njohur gjilanas, 15 vjeçarët e këtij klubi kanë zhvilluar një gjysmë kampionat të mrekullueshëm duke grumbulluar 25 pikë dhe qenë njëherit skuadra e vetme pa humbje në të gjitha kategoritë e LRFGJ-së.
Me një finish fantastik, kadetët e Arbërisë mbyllën stinorin vjeshtor të kampionatit.
Djelmoshat e Ismet Ramushit, ish-reprezentuesit të Kosovës mbyllën me meritë stinorin vjeshtor në pozitën e parë më 22 pikë.