Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur optimist për realizimin e objektivave për liberalizimin e vizave.
Ai ka përgëzuar zyrtarët e dikastereve respektive qe sipas tij kanë treguar përkushtim dhe angazhim në zbatimin e kritereve për liberalizim të vizave.
“Vlerësimet tona të brendshme, por edhe ato që i marrim nga organizatat ndërkombëtare, vlerësojnë lartë progresin që është arritur në fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve e kështu me radhë. Pra në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave kemi shënuar një progres të konsiderueshëm”, ka thënë ai.
Ky progres, sipas tij, është vlerësuar edhe nga misioni faktmbledhës i ekspertëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë qëndruar në Kosovë gjatë javës së parë të dhjetorit dhe të cilët tashmë janë duke hartuar raportin e misionit faktmbledhës, të cilin do ta ndajnë me ne sa më shpejtë që të jetë e mundur. Por thaçi u shpreh i pakënaqur me Misionin faktmbledhës të BE-së.
“Ajo çka kemi kërkuar nga përfaqësuesit e BE-së, është që të kemi interaksion më të madh, të kemi më shumë misione faktmbledhëse, të kemi raportime më të shpeshta nga ana e tyre dhe në përgjithësi të intensifikohet agjenda e liberalizimit të vizave edhe nga ana e Brukselit”, ka pohuar Thaçi, duke shfaqur edhe dëshpërim ndaj misionit faktmbledhës./Top Channel