Shkruan: Sulejman DËRMAKU
LIBËR I SË VËRTETËS KUNDËR GËNJESHTRËS
Fadil Kajtazi, Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit 1844 – 2007
(Analizë bazuar në burimet serbe dhe ndërkombëtare, edituar nga Shttëpia botuese BEQIR MUSLIU, 2023 dhe i mbështetur për botim nga MKRS-ja )
Për serbët armiku më i madh është e vërteta. Ajo e rrezikon ekzistencën e tyre. Kështu pohon publicisti austro-hungarez Leo Freundlich (Leo Frojndlih, 1875-1953), i cili lindi në një familje hebraike në qytetin Bielitz-Biala (Bielsko-Biala), tani në Poloni, ndërsa në Vjenë, më 1913, botoi librin Golgota shqiptare: akuza kundër shfarosësve të popullit shqiptar.
Pikërisht libri i Fadil Kajtazit, “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit 1844 – 2007 (Analizë bazuar në burimet serbe dhe ndërkombëtare”, bën rekonstruktimin e falsifikimeve dhe gënjeshtrave të historiografisë serbe, nëpërmjet autorëve të shumtë të shkencës së historisë botërore, madje edhe nëpërmjet disa autorëve serbë.
Historikisht, të gjitha regjimet serbe, pavarësisht nga forma e tyre, veprimet ndaj shqiptarëve dhe Kosovës i kanë pasur të njëjta: keqtrajtime e torturime masive; burgosje të vazhdueshme, masakra mbi pleq, gra e fëmijë dhe deportime të pandërprera drejt Turqisë…
Qëndrime e artikulime të njëjta, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta e establishmentit politik, ndaj shqiptarëve e ndaj Kosovës janë shpërfaqur në vazhdimësi. Avaz i njëjtë madje vazhdon edhe sot, duke u mbështetur në elaboratet famëkëqija, hartuar nga akademikë e intelektualë serbë, edhe pse do të duhej që ato të kishin mbetur në histori, si mësim për të sotmen e të ardhmen si nuk duhet trajtuar fqinji.
Libri i autorit Kajtazi, “Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit 1844 – 2007”, nuk është pandan i një vistër librash të autorëve serbë, botuar në harkun kohor të shekujve XIX, XX, duke vazhduar edhe në dekadat e shekullit XXI, deri në ditët e sotme. Derisa pjesa dërrmuese e atyre botimeve gëlojnë nga racizmi, urrejtja patologjike, ksenofobia dhe mohimi i shqiptarëve, duke qenë bazë programore për diskriminimin, për shpërnguljen madje edhe për shfarosjen e tyre, në librin e autorit Kajtazi ndodh e kundërta. Përgjatë afro 400 faqeve, me fjalës të zgjedhur, me diskurs racional e narracion të sinqertë, shtrohen argumente, që u kundërvihen tezave të shtruara në botimet ideologjike serbe, nëpërmjet të cilave dëshmohet katërçipërisht e vërteta, armiku më i madh i tyre, siç pohon edhe Frojndlih, duke u sheshuar fakti se të gjitha ato teza janë ngritur mbi sajesa e mbi gënjeshtra, të cilat, e pranon edhe “babai” i kombit serb, trajtohen si virtyt, aftësi e shkathtësi kombëtare serbe.
Që në hyrje, me argumente, nëpërmjet fakteve të shumta të autorëve autoritarë, duke i përshkruar detajet me shumë saktësi, shkërmoqet teoria (nëse mund të quhet fare kështu) aq e trumbetuar serbe se “shqiptarët qenkan ardhacakë” në trojet e tanishme etnike.
Ky libër, më shumë se historik, është shkruar me sens të shëndoshë, me qëndrim dinjitoz dhe me një dozë të shëndetshme, çka e bën atë pafundësisht të pranueshëm e interesant. Kajtazi nuk e rishikon historinë, as përpiqet ta bëjë këtë, veçse në mënyrë të shkëlqyeshme arrin ta bindë lexuesin për të vërtetat e mirëfillta, duke ua kundërvënë ato gënjeshtrave të vazhdueshme të të gjitha sistemeve të shtetit serb, mbi të cilat kanë hartuar programe të shumta kundër etnisë shqiptare gjithandej trojeve etnike, që nga dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit e Toplica e deri në ditët e sotme. Këto të vërteta paraqiten realisht, të argumentuara, nëpërmjet publikimeve të autorëve të ndryshëm joshqiptarë, madje edhe të disa autorëve serbë, që kanë mbetur besnikë të së vërtetës reale jetësore e historike. Në të nuk ka interpretime të ekzagjeruara, “fjalë të mëdha”, mohime e fyerje, as fjalor përçmues, siç ndodh në botimet e shumë autorëve serbë. Me një fjalës të përzgjedhur, nëpërmjet të më shumë se nëntëqind fusnotave, sheshohet e tërë e vërteta dhe realiteti historik i vazhdimësisë iliro-shqiptare në këto troje, duke dokumentuar të gjitha ndërmarrjet institucionale akademike e shtetërore të Serbisë kundër gjithçkaje shqiptare, madje edhe kundër vetë ekzistencës së kësaj etnie.
Gjithashtu, në fokus të qartë është dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre, siç janë edhe parardhësit e autorit dhe shumë familje të tjera që kanë gjetur strehim në Kosovës, në Turqi dhe në vise të tjera etnike shqiptare, të cilat nuk kishte arritur ende t’i pushtonte Serbia.
Në libër pasqyrohen projektet dhe programet me të cilat Serbia ka udhëhequr dhe udhëheq politikën ksenofobe kundër shqiptarëve, duke filluar nga Ilija Garashanini, Vlladan Gjorgjeviqi, Vasa Çubrilloviqi, Ivo Andriqi, Elaborati i Armatës III, Rankoviqi e deri te Memorandumi i vitit 1986, gjithnjë të ndihmuara, të mbështetura dhe me bekim të Kishës Ortodokse Serbe, e cila përherë ishte dhe ka mbetur pjesë e aksionit politik dhe ushtarak të shtetit serb. Të gjitha këto dhe të tjera, shteti serb i shfrytëzon për manipulim historik në funksion të spastrimit etnik të trojeve shqiptare, të cilët shihen si pengesë për pretendimet e vazhdueshme territoriale dhe gjakimin e pashuar për dalje në det.
Libri është aq i qartë, aq i thellë dhe aq i lexueshëm, saqë lexuesi do të tundohet që të mos e ndërpresë leximin e këtij libri sapo të ketë nisur atë. /2LONLINE/