(2L ONLINE) – Si duket përçarjeve brenda partive politike nuk ka mundur t’u rezistojë as Lëvizja Vatra nga Gjilani e themeluar kohë, më parë, para zgjedhjeve lokale 2013, në të cilat edhe mori pjesë. Në prag të zgjedhjeve nacionale, edhe në këtë subjekt janë krijuar palët që nuk e njohin njëri tjetrin.
Sejdulla Kadriu, që thotë se vazhdon të jetë kryetar i Lëvizjes “Vatra”, përmes një deklarate për media thotë se Kryesia e Lëvizjes “Vatra” në mbledhjen e saj të mbajtur sot, merr vendim për anulimin e “Kuvendit të Dytë” të Lëvizjes “Vatra”, dhe si rrjedhojë edhe nuk mund të marr pjesë as në zgjedhje
parlamentare.
Sipas tij, Çdo tentim, i ndonjë grupacioni të vetëquajtur kryesi e “Vatrës” apo individi të vetëquajtur kryetar i “Vatrës” është jo legjitim dhe i panjohur për Lëvizjen “Vatra”.
Por, nga ana tjetër Fatmir Arifi, ish sekretar i Vatra-s, tani anëtar i kryesisë thotë për Portalin 2L Online, se Familja Kadriu duhet kuptuar se në demokraci vlen parimi i shumicës,se barometër është vota dhe se organet e dala nga kuvendi zgjedhor janë legjitime dhe se nga 21 anëtarë të kryesisë , 13 janë pro edhe takimit të sontshëm që do e mbajë kryesia për të zgjedhur edhe kryetarin e Vatrës dhe përmbyllur këtë proces, e këtë nuk mund ta pengojë Kadriu, i cili duhet ta pranojë humbjen.
Përndryshe, duke u sqaruar lidhur me atë se pse u morr një vendim i tillë, për anulimin e “Kuvendit të Dytë” të Lëvizjes “Vatra”, Sejdulla Kadriu thotë se Lëvizja “Vatra” pasi kishte marrë qëndrim që të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Kosovës i hyri punës që të përgatitet konform ligjeve e rregullave zgjedhore. Edhe pse, më 27. 04. 2014, mbajti Kuvendin e brendshëm zgjedhor me proceduara të shpejtuara e të shkurtuara nuk u njoh si legjitim pranë KQZ-zë si dhe nuk arriti të ceritifikohet si subjekt apo iniciativë qytetare me të drejtë pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare për shkak të kohës së shkurtër të afatit zgjedhor si dhe për shkak të neglizhencës së sekretarit të përgjithshëm Fatmir Arifi, i cili ishte angazhuar nga kryesia që të kontaktojë me KQZ-në e të rregullojë legjitimitetin e Lëvizjes “Vatra” me të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje parlamentare të Republikës së Kosovës.
Po sipas kryetarit të “Vatrës”, meqë koha për certifikim të subjekteve politike për të pasur të drejtë për pjesëmarrje në zgjedhje parlamentare përfundon, më 16. 05. 2014 dhe Kuvendi i Dytë i Lëvizjes “Vatra” është i panjohur, është jo legjitim për KQZ-në përkatësisht është në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret për zgjedhje Parlamentare në Kosovës, Kryesia e Lëvizjes “Vatra” në mbledhjen e saj të mbajtur, sot merr vendim për anulimin e “Kuvendit të Dytë” të Lëvizjes “Vatra”, dhe si rrjedhojë nuk mund të marr pjesë as në zgjedhje parlamentare.
“Lëvizja “Vatra”, në të ardhmen bën kërkesë pranë KQZ-së që ta mbajë Kuvendin e rregullt në bazë të ligjit Zgjedhor dhe ligjeve tjera të Republikës së Kosovës. Çdo tentim, i ndonjë grupacioni të vetëquajtur kryesi e “Vatrës” apo individi të vetëquajtur kryetar i “Vatrës” është jo legjitim dhe i panjohur për Lëvizjen “Vatra”, ka thënë Sejdulla Kadriu.
Sipas tij, ngase koha e zgjedhjeve parlamentare është afruar dhe Lëvizja “Vatra” nuk ka mundësi të bëjë fushatë e as të kandidojë për deputetë të Republikës së Kosovës, të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes “Vatra” janë të lirë të votojnë sipas dëshirës së tyre, përkatësisht për kandidatët që ata mendojnë se janë më të mirët.
Por, në anën tjetër, Fatmir Arifi, ish sekretar tani anëtar i kryesisë së Vatrës, thotë për 2L Online, se Lëvizja Vatra nuk trandet nga klani i Familjes Kadriu, e drejta është në anën e tij dhe se bëri të ditur se Këshilli drejtues ka nxjerr kryesinë 21 anëtarësh, dhe 13 prej tyre janë pro takimit që do të mbahet në ora 18:00 ku edhe do të zgjidhet kryetari i ri i Vatrës.
“Lidhur me reagimin e familjes se Sejdulla Kadriut, me pretekstin se nuk e njohin organet e Lëvizjes Vatra të dalë nga Kuvendi zgjedhor, njoftojmë opinionin e gjerë se as Kryesia e Lëvizjes Vatra nuk i njeh ata. Lëvizja Vatra, përmes procesit zgjedhor ka zgjedhur organet e saj si Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e Lëvizjes Vatra. Nga ky proces zgjedhor në Kuvend nuk kanë arritur ti marrin votat: Sejdulla Kadriu, Taulant Kadriu dhe Korab Kadriu (djemtë e Sejdulla Kadriut), Kushtrim Kadriu dhe Durim Kadriu, (djemtë e Vëllait të Sejdulla Kadriut)”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, bazuar në praktika, humbësit gjithnjë nuk e pranojnë humbjen, por se si kryesi sot në orët 18:00 do të zgjedhim kryetarin e Lëvizjes Vatra. “Në demokraci, barometri matës është vota”, ka thënë Fatmir Arifi, ish sekretar dege tani anëtar i kryesisë. /2L Online/