(2L ONLINE) – përfaqësues nga Lëvizja “Vatra’, bënë të ditur se selinë e saj në Gjilan kanë pritur sot udhëheqësin e Shtegtarëve të Lirë, Nazim Ajdini nga Breznica e Bujanocit, derisa në këtë rrugëtim kanë qenë edhe Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha. Në një atmosferë miqësie, Kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Sejdulla Kadriu dhe anëtarët e tjerë të kryesisë i uruan mirëseardhje nga rruga e gjatë këmbë prej Gjilani në Bruksel dhe i falënderuan për këtë rrugëtim kaq të gjatë që e bën.
Këta shtegtarë të lirë, këta misionarë të kërkimit të liberlizimit të vizave i dërguan mesazhin Komisionit Evropian dhe Asamblesë së NATO-së që edhe Kosovës t’i mundësohet qarkullimi pa viza në vendet evropiane, sepse këtë e meritojnë më shumë se të gjithë pas një lufte që zhvilloi me pushtuesin serb. Kjo do të ishte një ndihmë më pak e lehtë se sa ndihma e madhe që i ka dhënë Kosovës, Bashkësia Ndërkombëtare gjatë luftës së vitit 1998/99, popullit shqiptar në Kosovë.
Shtegtarët e lirë, në rrugën e tyre të gjatë, pesë milion hapa për një hap, hasën edhe në vështirësi udhëtimi, pikërisht në Graçanicë. Ata që në ditën e parë të udhëtimit në këtë lokalitet serb u penguan, përkatësisht u rrahën nga komuniteti serbë vetëm pse kishin marrë këtë rrugë, vetëm se ishin shqiptarë dhe vetëm pse bartnin flamurin kombëtar.
Megjithatë kjo dhe vështirësitë tjera nuk i penguan këta udhëtarë të kryejnë qëllimin e tyre për të cilin ishin përcaktuar. Ata me sukses udhëtuan për Bruksel.
Nazim Hajdini, në këtë takim tha se, bashkatdhetarë të shumtë, gjatë këtij rrugëtimi i dolën në ndihmë dhe pa ndihmën e tyre, thotë ai, ndoshta nuk do të kishim pasur sukses në këtë rrugë.
Ai gjithashtu tha se në Bruksel u takua me Catherine Ashton, Stefan Fyle dhe Jamie Shea. Të gjithë këta në takimin që e patëm na premtuan se edhe Kosova do të jetë së shpejti me liberalizim të vizave, por qytetarët e Kosovës nuk duhet të migrojnë ilegalisht, sepse do t’i bëjnë dëm procesit të liberalizimit të vizave. /2L ONLINE/