Gjilan – (2LONLINE) – Se drejtësia duhet të vihet në vend me shqiptarët e ndarë padrejtësisht po e tregon koha, po tregojnë edhe shumë organizma e ekspertë botërorë kur flasin drejtë e mendojnë esull.
Njëri ndër këta ekspertë që ka kërkuar që Kosova Lindore, pra Presheva, Buajnoci e Medvegja t’i kthehen Kosovës është edhe Alfred Maurice de Zayas, ekspert i pavarur i OKB-së për promovimin e së Drejtës Ndërkombëtare.
Ai duke u mbështetur në Konventat Ndërkombëtare, Kartën e OKB-së mbi të Drejtën për Vetëvendosje thotë se, “Është e drejtë legjitime që popullata etnike shqiptare e Luginës së Preshevës t’i bashkohet Kosovës”.
Këtë të drejtë, populli shqiptar e ka pasur gjithmonë, por pushtuesit serb dhe shpesh vendimet e shteteve të ndryshme Evropiane e të shteteve tjera, gjatë periudhave të ndryshme të historisë, duke e përdorur forcën dhe vendimet në dëm të popullit shqiptar, e kanë lënë këtë popull të ndarë, të varfër e të shfrytëzuar.
Edhe populli shqiptar, duke ditur këtë dhe duke pasur të drejtë që të jetojë i lirë, në çdo periudhë historike nuk e ka pranuar ndarjen, dhe vazhdimisht ka luftuar për liri e bashkim, këtë është duke e bërë edhe sot dhe nuk do të ndalet asnjëherë deri në realizimin e plotë të drejtave të veta.
Këtë të drejtë, këtë vullnet të popullit shqiptar edhe Shoqata “Vatra” e tash Lëvizja “Vatra” e ka kërkuar në vazhdimësi. Prandaj, edhe deklarimin dhe mendimin e Alfred Maurice de Zayas që Presheva, Buajnoci e Medvegja t’i kthehen Kosovës, Lëvizja “Vatra” e përkrah fuqishëm, dhe kërkon që edhe më me ngulm ai, ekspertët tjerë botërorë e shtetet e ndryshme, ta ndihmojnë realizimin e të drejtës së shqiptarëve të këtij rajoni, thotë në emër të Vatrës, ismet Tafili nga Sektyori për Informim. /2lonline/