Nxënësja e klasës X/6 në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ka marrë titullin e nënkampiones në Garat Ballkanike të Sportit Shkollor që janë mbajtur në Ohër në Maqedoni të Veriut. Ajo këtë titull e ka marrë në konkurrencën individuale të ping pongut.
Lena Osmani ka patur paraqitje të shkëlqyeshme, duke u ndeshur me lojtare shumë të forta nga shtetet e Ballkanit.
Kështu në ndeshjen e parë, Lena Osmani është ballafaquar me garuesen nga Serbia, të cilën e ka mposhtur me rezultat bindës 3:0 në sete. Në ndeshjen tjetër para saj është paraqitur garuesja nga Republika Srpska (Bosnjë e Hercegovinë), të cilën gjithashtu e ka mundur me rezultat bindës 3:0 në sete, për të vazhduar në garën gjysmëfinale, ku është takuar me përfaqësuesen nga Shqipëria, të cilën gjithashtu e ka mundur me rezultat 3:0.
Në finalen e madhe, Lena Osmani është përballur me pjesëmarrësen nga Maqedonia e Veriut dhe pas një loje maratonike, përfaqësuesja veriomaqedonase për një nuancë të vogël ia doli të ngadhënjejë.
Blerim Shala, mësimdhënës i Kulturës Fizike dhe Sportit në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” ka uruar Lena Osmanin për suksesin e arritur, duke theksuar se ajo është një lojtare e shkëlqyeshme dhe se ajo është shumë e re, në klasën e dhjetë dhe sukseset e saja edhe më të mëdha do të jenë të ardhmen. Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në këtë garë të madhe të Sportit Shkollor e kanë përfaqësuar tre sportistë, një pingpongiste dhe dy shahistë. /2LONLINE/