/Ata që e kontestojnë koalicionin, kërkojnë të bëhen pjesë e koalicionit/
Shkruan: Ismajl KURTESHI
(2L ONLINE) – Marrëveshjen në mes të Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-së, AAK-së dhe NISMËS që bashkë e bëjnë shumicën parlamentare me qëllim të krijimit të institucioneve vendore po kontestohen nga PDK-ja.
Sipas PDK-së dhe aleates së saj Gjykatës Kushtetuese, koalicionet pas zgjedhore nuk mund të bëhen sepse, sipas tyre, këtë nuk e lejon Kushtetuta.
Në anën tjetër e njëjta PDK, pasi që i shkuan huq përpjekjet për ta bindur ndonjërën nga katër subjektet e VLAN-it që të hyj në koalicion (pas zgjedhor) me PDK-në dhe pasi që nuk arriti as të blej deputet edhe pse pati mjaft kohë dhe oferta interesante. PDK-së nuk i mbeti as gjë tjetër përveçse të kërkon, madje edhe insiston që të takohet me liderët e VLAN-it, me qëllim të arritjes së marrëveshje për koalicion pas zgjedhor.
PDK që herë konteston e herë angazhohet për koalicion pas zgjedhor duhet publikisht të deklaroj a ka mundësi, sipas tyre, të bëhen koalicionet pas zgjedhore apo nuk ka mundësi?
Nëse ka mundësi të bëhet koalicion pas zgjedhor mes subjekteve, atëherë pse po përpiqet ta pengoj koalicionin në të cilin PDK nuk është e përfshirë?
Nëse nuk ka mundësi të bëhet koalicioni pas zgjedhor, atëherë pse PDK po insiston që t’i takoj liderët e VLAN-it, me qëllim të arritjes së marrëveshjes që i mundëson edhe PDK-së të jetë pjesë e koalicionit (pas zgjedhor) qeverisës?
Ky qëndrim joparimor i PDK-së dëshmon qartë se ajo ka vetëm një qëllim, mbetjen me çdo kusht në pushtet. Ajo mundohet të pengoj çdo marrëveshje që e përjashton atë nga pushteti dhe e quan të ligjshëm çdo veprim që ia mundëson asaj mbetje në pushtet.
PDK-ja për realizimin e këtij qëllimi po e konteston edhe parimin bazë të demokracisë, të drejtën e shumicës për të marr vendime, ajo po tregohet e gatshme me e blloku shtetin me qëllim të mbetjes në pushtet.
PDK është e vetëdijshme se pa koalicion pas zgjedhor nuk mund të krijohet Qeveria pasi që në zgjedhjet e 8 qershorit asnjëri subjekt politik, madje as koalicioni PDK, PD, nuk e fitoj shumicën e ulëseve të Kuvendit.
VLAN-i duhet ta kuptoj se sa do që të pret, zgjidhja nuk vjen vetvetiu, se arsyetimi që pakica po e bllokon krijimin e institucioneve nuk arsyeton mos veprimin e VLAN-it, përgjegjësia për daljen nga kjo situatë bie para së gjithash mbi shumicën parlamentare dhe se grupi i deputetëve që përbëjnë shumicën përbëjnë autoritetin më të lart të vendit që duke e respektuar Kushtetutën dhe procedurat zgjedhore, por pa hequr dorë nga parimi bazë i demokracisë, të vazhdon me konstituimin e Kuvendit të Kosovës e pastaj edhe të Qeverisë së Vendit. /2L ONLINE/
(autori është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës)