Libri që po vjen…!
“Vjeshtë e ngrime” e autorëve: Blerim Gashani e Naxhije Gashani, thjeshtë është një Përmendore letrare e kujtese, një përkushtim i rrallë publicistiko – poetik për vajzën, motrën, nanën, martiren…tonë, e cila, për lirinë e Kosovës, flijon më të dashurit e saj, bashkëshortin, djalin e saj të vogël si dhe veten.
Libri “Vjeshtë e ngrime”, si një metaforë dhembje, ftohtësie e pikëllimi, është dhe metaforë mos-harrese e dashurie, një kujtesë letrare që do udhëtojë nëpër kohë, si përkushtim i përhershëm për gjithë të dashurit tanë, që sot i kujtojmë dhe nderojmë nën dritën e lirisë…
“Vjeshtë e ngrime”, sa është zë i dhimbjes, po aq është dhe flakë e mallit dhe e dashurisë që nuk shuhet, si përmes poezive përkushtuese, ashtu edhe përmes shkrimeve publicistike, të cilat në një mënyrë përfshijnë të gjithë të dashurit tanë që ranë dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.
“Vjeshtë e ngrime” shquhet sidomos për baladat e shkrira në art , të cilat të rrënqethin prej tërë asaj dhimbje që ndrydhin në dhe mes vargjesh. Po, edhe dëshmojnë se çmimi i kësaj Kosove që e kemi ishte tepër i shtrenjtë…
“Vjeshtë e ngrime” lehtëson dhimbjen jo vetëm të Familjes Gashani apo të Familjes Deliu por, edhe dhimbjet e tërë atyre familjeve që më të dashurit e tyre i shkrinë përjetësisht në këtë liri që e kemi, sepse, ajo tashmë, si përmes vargjeve, ashtu dhe shkrimeve publiciistike që për kryepersonazh ka Mihanen, Ademin e Valmirin n dyvjeçar, do pjestohet nëpër qindra e qindra lexues, të cilët do bashkëndjejnë , përveç dhimbjes, edhe shijen e qëndresës, shijen e gjallnimit po, mbi të gjitha, edhe shijen e artit.
“Vjeshtë e ngrime” përcillet dhe me recensionet meritore të Halil Matoshit e Adem Gashit, dy emrave tanë të njohur të letrave,si dhe një shkrimi plus të publicisitit Enver Robelli, prandaj ia vlenë të lexohet e rilexohet, e gjithsesi edhe të vlerësohet sepse, duke mos e harruar ate që e përjetuam, këtë Kosovë që e kemi, më shumë do ta çmojmë dhe zhvillojmë.
/Sabit Rrustemi/