Shkruan: Florim Zeqa
Parashikime të lehta parazgjedhore
Shkaku i mos profilizimit dhe raporteve të brishta mes subjekteve politike, demokracia në Kosovë rrezikon të humbas kuptimin e saj. Politika ka filluar që të humbas kuptimin në ballafaqimin me idetë dhe parimet e kundërta, gjegjësisht me autoritarizmin dhe diskursin e ngurtë të politik të kthyer në populizëm të skajshëm monopartiak.
Kurti ndjek rrugën e Thaçit
Militantët janë të parët që i fillojnë ledhatimet për aleatët e rinj politik dhe të parët që i fillojnë sulmet virtuale ndaj rivalëve partiakë. Menjëherë pas takimi të parë mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, duket sikur është krijuar një aleancë e re në horizont!
Tashmë në rrjetet sociale nuk ka më sulme reciproke mes VV-së dhe PDK-së!
Pas ‘puthjes’ së parë politike, sikur ka filluar krijimi i një dashurie të re, të papaparë dhe padëgjuar deri më tani në skenën politike kosovare!
Sikurse që nuk ka dashuri pa xhelozi, nuk ka as lidhje të re politike pa qarje të re politike!
Nga lidhja e re politike mes LVV-së dhe PDK-së, e para që do të digjet në zjarrin e dashurisë së re do të jetë Lista Guxo dhe Vjosa Osmani, e cila e dogji jorganin e LDK-së për postin e presidentes!
Matematikat e para për të bërë z. Bedri Hamza kryeministër të ri janë me bërjen e Albin Kurtit president! Ndryshe as që mund të imagjinohet një puthje e zjartë mes “demokratëve” dhe komunistëve!
Me ose pa dashje, Albin Kurti është duke e ndjekur rrugën e Hashim Thaçit në politikë!
Bashkimi i kampit opozitar
E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në kampin opozitar. Në asnjë variant nuk mund të bëhet kryeministër z. Lumir Abdixhiku pa u bërë z. Ramush Haradinaj president i Kosovës!
Këto në parim duken parashikime të lehta, por në fakt janë kalkulime reale.
Mbase është mirë të ndodhë kjo lidhje e re, për t’u profilizuar skena politike në Kosovë, gjegjësisht e krijimit të krahut të djathtë dhe atij të majtë politik në vend, të cilët i përkasin të njëjtës ideologji politike!
Pas lidhjes së re politike, LDK-së nuk i mbetët rrugë tjetër, vetëm se të mobilizohet fuqishëm, për ta krijuar bllokun e qëndrës së djathtë, për të tubuar rreth vetes të gjitha forcat demokratike dhe pro-perëndimore në Kosovë.
Pritet që menjëherë pas shpërbërjes së Kuvendit, në agjendat e studiove televizive të fillojë një luftë e ashpër mes dy kampeve të reja politike. Bashkë me këtë do të rritet edhe andrenalina e popullatës e cila nuk mund ta paramendojë jetën normale pa militantizmin partiak!
Fundja, në mungesë të një alternative të re politike, edhe elektoratit nuk i mbetet rrugë tjetër nga a jo e argëtimit me këto parti politike. E mira e profilizimit politik do të jetë, se do të kemi lëvizje të reja të figurave politike nga e majtja në të djathtë dhe anasjelltas. /2LONLINE/