(2L ONLINE) – Performanca e sotme e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, para zyrës së kryetarit të komunës Lutfi Haziri, për ta kritikuar atë për dështimet në sferën e sportit, me theks të veçantë për mos zgjedhjen e sportistit të vitit, duket se e ka irrituar tejmase LDK-në e Gjilanit, subjekt ky prej nga vije kryetari Haziri.
Shih: shkrimin: Vetëvendosje shpall Lutën sportist të vitit, trofeu për të një Jack Daniel’s
Ndonëse performanca e Vetëvendosjes e cila me ironi e kishte shpallur kryetari e komunës Lutfi Hazirin sportist të vitit 2014, duke ia dhuruar si trofe një shishe Jack Daniel’s, është parë si veprim i ultë dhe fyerje për të parin e komunës, reagim nuk pati as nga zyra për informim e as nga adresa zyrtare e LDK-së, por se ajo erdhi përmes një postimi në faqen zyrtare të LDK-së së Gjilanit në facebook, e në të cilin reagim nuk ishte kursyer fare gjuha e përdorur.
Sipas këtij reagimi, performanca e Vetëvendosjes është bërë nga një grimcë njerëzish dhe ishte një sfilatë bajate me fyerje të ulëta për të parin e komunës.
“Në këtë vit për herë të parë kryetari Haziri ka bërë marrëveshje me shumicën e klubeve sportive në Gjilan për financimin e tyre gjatë tërë vitit. Është mirë që mediat lokale të marrin prononcimin e klubeve serioze të qytetit të Gjilanit dhe të binden vet se si qëndrojnë ato sot në raport me vitet e kaluara. Ëndrra për pushtet e një Lëvizje pa koncept, pa vizion dhe pa program ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, jo vetëm në Gjilan por në tërë Kosovën”, thuhet ndër tjerash, në këtë reagim të LDK-së së Gjilani postuar në faqen zyrtare të tyre në facdebook. /2L ONLINE/
https://www.facebook.com/ldkgjilan?fref=ts