Shefi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdyl Aliu, dhe anëtarja e Kuvendit Komunal, znjsh. Gresa Avdiu, sot kanë mbajtur konferencë për medie rreth raportit financiar për 3 mujorin e parë të vitit dhe siç thanë: “për problemet e mëdha infrastrukturore në komunë, sidomos në hyrje-daljet e qytetit”.
Aliu para medieve tha se buxheti komunal nuk është realizuar as për së afërmi sa është dashur të realizohet. Vetëm 3.54% e buxhetit komunal për investime kapitale është realizuar, e Zyra e Kryetarit e cila ka planifikuar vetëm 30.5€ për investime kapitale, nuk ka arritur t’i shpenzojë as ato.
Realizimet në drejtoritë komunale janë tejet të ulëta. Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shëndetësisë, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Drejtoria për Mbrotje dhe Shpëtim dhe Drejtoria e Administratës nuk kanë realizuar asnjë cent për investime kapitale në 3 mujorin e parë të vitit.
Në fund, Aliu kërkoi që të rikthehet praktika e mirë e transparencës në lidhje me shpenzimin e parasë publike, sepse deri më tani Komuna jonë është përfituese e mijërave euro grante për transparencë nga partnerët dhe donatorët e Komunës sonë.
Më tutje, për “problemet e mëdha me hyrje-daljet e qytetit”, foli këshilltarja Gresa Avdiu.
Avdiu para medieve tha se është e papranueshme neglizhenca që po u bëhet punimeve në rrugën Gjilan-Bujanoc, deri në hyrje të fshatit Përlepnicë dhe në rrugën Gjilan-Ferizaj, përkatësisht në fshatin Livoç. Premtimi se këto projekte do të realizohen në korrikun e vitit të kaluar, mbeti vetëm fjalë, e tash pothuajse 1 vit pas nuk janë as për së afërmi përfundimet e këtyre projekteve.
Sipas saj, për 1 muaj ne fillojmë të presim bashkatdhetarët tanë që marrin rrugën për në vendlindjen e tyre, e kaosi që pritet të bëhet sidomos në rrugën Gjilan-Bujanoc për shkak se është rrugë qe lidh kufirin, do jetë i paevitueshëm.
Në emër të LDK-së, Avdiu bëri thirrje që Ministria e Infrastrukturës dhe kryetari i Komunës së Gjilanit të shtrijnë autoritetin e tyre tek operatori dhe intensiteti i punimeve të rritet e këto projekte të finalizohen deri në muajin qershor.
“Për ngecjet e këtyre projekteve, sot është mbajtur edhe një protestë tek rruga Gjilan-Bujanoc, të cilën LDK e Gjilanit e ka përkrahur dhe ka qenë pjesëmarrëse”, thuhet në njoftimi ne LDK-së. /2LONLINE/