LDK në Gjilan është në përkrahje të kampanjës për pastrimin e ambientit në komunën tonë, të paraparë nga 22 prill deri më 5 qershor të këtij viti.
“Shprehim kënaqësi për vazhdimin e traditës edhe nga qeverisja aktuale në këtë drejtim. Jemi të vendosur që bashkërisht ta ruajmë epitetin e komunës së gjelbër dhe të pastër”, thuhet në komunikatë.
LDK ka ftuar të gjithë qytetarët, çdo familje, shoqatat, komunitetin e biznesit dhe të gjithë ata që e duan komunën e pastër të bëhen bashkë në këtë ndërmarrje.
“Ta shënojnë këtë përvjetor të rëndësishëm, përveç se me pastrim edhe të mbjellin të paktën një dru, i cili do ta simbolizonte kontributin e secilit, e në të njëjtën kohë, do të ndikonte direkt në ruajtjen e ambientit”.
“Jemi krenarë me angazhimin e Këshillave Lokale në menaxhimin e ambientit nëpër disa fshatra si, Dobërqani, Pogragja, Lladova, Zhegra dhe disa vendbanime të tjera dhe i inkurajojmë të vazhdojnë edhe më tutje”, thuhet në komunikatën e LDK-së së Gjilanit. /2LONLINE/