Në kuadër të ciklit debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, si dhe me rastin e 33 vjetorit të themelimit të degës së Gjilanit, drejtues të LDK-së janë takuar me struktura e mbështetës të këtij subjekti politik në Gjilan.
Sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, këto takime të përjavshme në çdo qytet të Kosovës kanë risjellë lidhjen e LDK-së me qytetarë.
“Po dëgjojmë njëri tjetrin siç dhe po i shtrojmë kauzat tona të përbashkëta në angazhimin tonë kolektiv për ndryshim.”, thotë Abdixhiku.
I pari i LDK-së thotë se ndryshimi i brendshëm është parakusht i ndryshimit të vërtetë që duhet t’ia sjellin vendit.
“Kosova duhet të kapërcejë mbi përçarjen brendshme, depresionin politik e mungesën e vullnetit për punë e për zhvillim. Sepse meritojmë më mirë, sepse mundemi më shumë se çfarë na japin sot”, thekson kreu i LDK-së.
E, për Lutfi Hazirin, nënkryetarin e LDK-së, njëherësh kryetarin e Degës së LDK-së, në Gjilan, ky subjekt politik i dha Republikës formë, besim dhe shpresë.
“33 vjet sfidë, angazhim e sakrificë deri në sublimen, 33 vjet dhimbje e gëzim për shtet, për Republikë, për pavarësi dhe lirinë tonë. Mbi të gjitha, respekt deri në gjunjëzim për dëshmorët, heronjtë e martirët e kombit, familjet e tyre, kontribuesit e mëdhenj të LDK-së, mijëra burra e gra që nuk janë në mesin tonë, në krye me themeluesin e Republikës, Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova. Aq shumë kanë dhënë e kanë bërë për Republikën, për këtë ditë të bardhë që ne të gjallët ta shënojmë”, ka thënë Haziri.
AI ka shtuar tutje se: “LDK i dha Republikës formë, besim dhe shpresë, për dallim prej partisë në pushtet e cila është fatkeqësi që ua humbi shpresat e njerëzve, duke ua prekur direkt maxhen e çdo qytetari. Nuk ka arritur ta begatojë maxhen, por e ka varfëruar”.
“Mësimi i kësaj klase politike që udhëheq me institucione duhet të jetë se ne që shkaktuam procese e realizuam ëndrra, u mundësuam juve që 24 orë, me më të dashurit tuaj, trup-rojet dhe sejmenët, të gjunjëzoheni para veprave tona, ikonave tona, varreve tona dhe të manifestoni me mjetet dhe mekanizmat që lamë trashëgimi. Dikush ka vdekur për këtë ditë, dikush është në burg e dikush në Kuvend të Republikës dhe institucione”, ka thënë Haziri i LDK-së.
“Në emrin tuaj, e falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen në 33-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, kryetarin tonë dhe mikun tim, Lumir Abdixhiku, bashkë me deputetë, anëtarë të Kryesisë, udhëheqës të Degëve në Anamoravë, asambleistë lokalë, aktivistë e veprimtarë. LDK në Gjilan dhe në krejt Kosovën mbetet partia e vlerave që shkaktoi procese të mëdha dhe realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve për Liri, Pavarësi e Demokraci. Urime 33-vjetori i themelimit. Bashkë drejt rikthimit të madh”, ka thënë Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, njëherësh kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan. / /2LONLINE/