/2L ONLINE/ – Rexhep Kadriu, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Degën e Gjilanit, njëherësh nënkryetar komune, ka vlerësuar koalicioni LDK- AAK, si dhe i partnerëve të tjerë, që po qeverisë me Gjilanin, si një koalicion që po funksionon mirë, që është i qëndrueshëm e stabil.
Kadriu ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se koalicioni LDK-AAK, dhe i partnerëve tjerë në Gjilan po bashkëqeverisë mirë me Gjilanin ku në fokus të tyre e kanë qytetarin gjilanas dhe mirëqenien e tij. Kadriu ka thënë se përgjatë periudhës së deritanishme të bashkëqeverisjes po dëshmohet një qeverisje e mirë me komunë, dhe një meritë për këtë ai tha se e ka edhe pjesa e përgjegjësisë që i takon AAK-së.
Ai tha se edhe nga pozita e nënkryetari ka pasur angazhime të bollshme sepse për të e ka pasur edhe hapësirën e duhur, por edhe kuadrot e AAK-së që kanë përgjegjësi udhëheqëse siç është rasti me dy drejtorë në dy Drejtoritë Komunale, atë të Zhvillimit Ekonomik dhe të Administratës së Përgjithshme, apo pozita tjera, kanë treguar dhe po vazhdojnë të tregojnë performacë jashtëzakonisht të mirë.
Kadriu ka thënë se AAK-ja, për aq sa ka hise në këtë bashkëqeverisje, po e jep maksimumin e saj dhe rezultatet janë pozitive. Ai shtoi se AAK bashkë me partnerin e saj LDK-në, përgjatë kësaj kohe kanë ndërtuar një besim të ndërsjellë, dhe se kështu do të vazhdohet edhe më tutje.
Kështu ai i hodhi poshtë zërat që mund të vije edhe deri te prishja e mundshme e koalicionit duke thënë se ato nuk qëndrojnë sepse ky koalicion është i qëndrueshëm dhe do të punojë për të mirën e qytetarëve të Komunës se Gjilanit deri në përfundim të mandatit.
“Do të jemi bashkë deri në fund të mandatit, me projekte të mëdha për Gjilanin. Angazhimi jonë është maksimal sepse në Gjilan do të ndodhin investime serioze e AAK-ja do të jetë pjesëmarrëse në implementimin e këtyre projekteve”, ka thënë Kadriu i AAK-së, që njëherësh është edhe nënkryetar komune. /2L ONLINE/