Vendimi i fundit i UEFA-s nuk iu ka pëlqyer aspak vendeve që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të Federatës Serbe të Futbollit, Dragomir Lazovic e ka komentuar vendimin e fundit të UEFA-s, i cili ishte goditës për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si Azerbajxhani, Rumania, Rusia, Ukraina, Spanja etj.
“Mund ta jap mendimin tim personal, jo në emër të Federatës Serbe. Mendoj se çfarëdo vendimi që merret në lidhje me Kosovën është e natyrës politike. Nuk është korrekte që UEFA t’ua imponojë një vendim vendeve si Rusia. Dyshoj që UEFA do të jetë më e fortë se Qeveritë e vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, ka nënvizuar Lazovic për mediat serbe.
Lazovic thotë se, nëse do të pyetej ai, nuk do ta linte kurrë Serbinë të luajë kundër Kosovës
“Mendoj që jam i pari që do ta sfidoj këtë vendim të UEFA-s. Sa më përket mua personalisht, nuk do ta lejoja kurrë Serbinë ta zhvillojë një ndeshje kundër Kosovës”, përfundoi anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës Serbe të Futbollit.
Serbët kanë lobuar vazhdimisht kundër ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, por janë dorëzuar përfundimisht në vitin 2016, mbi të gjitha pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA.