“Biancocelesti” janë të gatshëm të heqin dorë nga mesfushori kosovar nëse arrin ndonjë ofertë e kënaqshme. Kështu e nis shkrimin për Valon Berishën portali italian “cittaceleste.it”, i afërt me Lazion.
Mesfushori kosovar nuk i ka treguar vlerat e tij tek “Biancocelesti”, ku ishte transferuar nga Salzburgu në verën e vitit 2018.
Fillimisht e tunduan lëndimet, ndërsa më pas nuk mundi kurrë ta tregonte veten në kryeqytetin italian duke përfunduar shpesh në bankinë.
Drejtori sportiv Igli Tare po punon që t’ia gjejë një ekip të ri përfaqësuesit kosovar. Edhe vetë futbollisti është i interesuar të sistemohet diku tjetër nëse nuk ka vazhdimësi të lojës tek Lazio.
Gjithnjë sipas këtij mediumi, klubi italian po i kërkon 9 milionë euro për Berishën, i cili ishte transferuar në Lazio një vit e gjysmë më parë.
Për Berishën interesim për janar kanë shfaqur dy skuadra, një në Itali dhe një jashtë saj.
Kohë më parë spekulohej se futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji mund të rikthehet në Austri tek Salzburgu.