Ai njihet si themelues i PDK-së në Gjilan dhe ish kryetar i parë i Gjilanit pas luftës. Në PDK, deri në zgjedhjet e fundit lokale, ishte vlerësuar njeri me reputacion dhe ndikim të madh dhe se dalja e tij nga ky subjekt, nga opinioni i gjerë, mund të vlerësohet humbje e madhe për vetë PDK-në.
Burimet e Portalit të Lajmeve Lokale “2lonline”, kanë mësuar se ka ditë që Kurteshi e kishte deponuar dorëheqjen nga të gjitha funksionet në parti dhe largimin e tij nga PDK-ja, por ky subjekt e ka mbajtur fshehur këtë fakt, në përpjekje për ta bindur Kurteshin të mos e bëjë një veprim të tillë, por duket se në këtë nuk kanë pas sukses.
Për më tepër, “2lonline”, ka mësuar se nuk kanë munguar përpjekjet që personalitete të ndryshme brenda por edhe jashtë PDK-së, të kontaktojnë me Kurteshin për t’ia ndërruar mendjen, por pa ndonjë rezultat.
Nga një zyrtar i lartë i AAK-së në Gjilan, është mësuar se, edhe pse në një subjekt tjetër, por për shkak të afërsisë me Kurteshin, edhe atij i është kërkuar ndërmjetësim, por një gjë të tillë ai e ka refuzuar për shkak të njohjes së qëndrimeve të Kurteshit i cili në vendimet e tij është i prerë.
Ndryshe, largimin nga PDK-ja e ka bërë të ditur për “2lonline”, edhe vetë Kurteshi duke dhënë edhe arsyet për një gjë të tillë. Ky veprim i Kurteshit vetëm se ka filluar të përflitet në opinion gjilanas, se mund të shkaktojë “plasaritje” në PDK, dhe të qelë rrugë që edhe të tjerë, bashkëmendimtarë me Kurteshin, ta ndjekin hapin e tij.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në Gjilan kanë qenë ato që kishin mbushur kupën, pasi Kurteshi edhe hapur ishte pozicionuar kundër Mustafës së PDK-së, kryetar aktual i Gjilanit, ndonëse ai më pas është ndier i “tradhtuar” edhe nga kreu i degës Izmi Zeka, partneriteti i ngushtë dhe i fuqishëm mes të cilëve është vlerësuar se ka ekzistuar deri pikërisht në këto zgjedhjet e fundit lokale.
Pas këtyre zgjedhjeve, ka qenë e ditur për opinionin e gjerë në Gjilan se Kurteshi nuk ishte aspak i kënaqur më me zhvillimet në PDK, për më tepër, përflitej se ai mund ta lë këtë subjekt dhe të afrohet me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Por, Kurteshi e ka mohuar se ikja nga PDK ka të bëjë me kalimin e tij në Vetëvendosje. Ai vetëm tha se ka braktisur PDK-në dhe tani është i pa parti dhe se si deputet në Parlamentin e Kosovës do të veprojë si i pavarur.
Përndryshe, tekstin e plotë të dorëheqjes dhe arsyet për një veprim të tillë të ndërmarrë nga Kurteshi, do ta botojmë dhe mund të lexohet në rubrikën Opinion të Portalit të Lajmeve Lokale “2lonline”. /2lonline/