Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka lansuar zyrtarisht fazën e tretë të projektit “Përkrahje për Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë”, financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Ambasadori në detyrë i Gjermanisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Drejtori i Vendit i GIZ gjithashtu ishin të pranishëm.
Në fjalën e sajë Ministrja Hoxha tha se projekti GIZ do të mbështesë më tej MIE-në drejt zbatimit me prioritet të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe në përgatitjen e administratës për aplikimin e ardhshëm për anëtarësim në BE. MIE luan një rol qendror në këtë proces kompleks dhe që kërkon shumë punë. Duke qenë autoritet koordinues, duhet të sigurojë pjesëmarrjen e plotë të të gjitha institucioneve të Kosovës gjatë përgatitjeve për aplikim për anëtarësim në BE. Në këtë mënyrë, mbështetja e projektit GIZ është e lidhur drejtpërdrejt me forcimin e mëtejshëm të kapacitetit administrativ të Kosovës.
Ambasadori në detyrë i Gjermanisë, Z. Jan-Axel Voss, vuri në pah se Qeveria e Gjermanisë ka mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për integrim në BE që nga fillimi; si politikisht ashtu edhe financiarisht. Ai theksoi se reformat evropiane janë jetike jo si qëllim në vetvete, por si një mjet për të krijuar një ekonomi demokratike tregu që i shërben nevojave të popullit.
Projekti GIZ ka mbështetur MIE në punën e saj për të planifikuar, koordinuar dhe monitoruar në mënyrë efektive procesin e integrimit evropian që nga vera e vitit 2011. Së bashku me masat për ngritjen e kapaciteteve, ky intervenim ka kontribuar në mandatin e zgjeruar të MIE-së. Për më tepër, projekti ka ofruar asistencë për Kuvendin e Republikës së Kosovës në forcimin e kapaciteteve të tij mbikëqyrëse të procesit të Integrimit Evropian. Faza e re e projektit ka një volum total prej 2.8 milionë eurosh dhe do të vazhdojë deri në qershor 2020.
http://www.mei-ks.net/sq/lajmet/ministrja-hoxha-lanson-fazn-e-tret-t-projektit-t-financuar-nga-gjermania-quotmbshtetje-pr-procesin-e-integrimit-evropian-n-kosovquot