IN MEMORIAM: LIMON ISUFI
LAMTUMIRË BACA I DURIMIT DHE BESIMIT TË PATHYESHËM
Nga: Mehmetali Rexhepi
Ngushëllimet për Bacën Limon vijnë krejtësisht të natyrshme, sikurse një rrjedh e qetë lumi… Veprimtari Ahmet Isufi e kishte jo vetëm baba, por dhe një shok këshill-dhënës e këshill-marrës…
Bacën Limon vazhdimisht e ka karakterizuar atdhedashuria dhe vullneti i pathyeshëm për lirinë e shqiptarëve…
Kurrë nuk është ligështuar, as nuk është thyer nga pushtuesit e okupatorët serbë. Gjithnjë, ne që e kemi njohur, na ka dhënë shtytje për të ardhmen…
Nuk e ka pasur lehtë me fëmijët atdhetarë: Saimja në ilegalitet, madje u detyrua të dilte jashtë në emigrim për të vijuar edhe atje kundërvënien ndaj shtetit okupator; Ahmeti po ashtu, veprimtar i grupeve ilegale, pastaj i burgosur politik, i torturuar dhe i gjykuar, luftëtarë dhe komandant i UÇK-së i Zonës së Karadakut, mandej veprimtar politik i pas Luftës Çlirimtare …
Baca Limon asnjëherë nuk e ka shfaqur as fijen më të vogël të dëshpërimit nga trusnia e rrethanave politike, të cilat e ndoqën familjen e tij atdhetare…
Jeta e durueshme e Bacës Limon arriti t`i përjetojë dy epoka: periudhën e ndjekjeve për zhbërje të shqiptarëve dhe epokën e qëndresës paqësore, si dhe rrethanën e qëndresës paqësore dhe me pushkë…
Ai arriti ta përjetojë dhe ëndrrën, përkrahjen Euro-Atlantike dhe çlirimin e Pavarësimin e Kosovës! Për jetën e tij të vuajtur e të ndershme mjaftuan këto…
Baca Limon shkoi i lehtësuar në botën e amshuar! Ai la pas bijtë, bijat, nëpër e mbesa dhe shtetin e Kosovës që po konsolidohet… Lamtumirë Baca Limon! Lavdi durimit tënd!