Në Prishtinë është duke u zhvilluar ceremonia shtetërore e varrimit të veprimtarit të çështjes kombëtare, atdhetarit të paepur Adem Demaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: “Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së, pasi me qëndresën e tij u bë simbol i lirisë kombëtare. Shpirti i tij ishte më i fuqishëm se burgu jugosllavë dhe rrezatoi humanizëm”.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj “Adem Demaçi ishte i vetmi që kurrë nuk ishte ndalur së kërkuari drejtësi e liri. “Ti ishte i vetmi për të drejtën e plotë. Ty të mundonte robëria e pjesshme. Nuk ka si ti të tjerë Baca Adem”.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: “Faleminderit për gjithçka bëre për atdheun, gjatë gjithë jetës tënde, Adem Demaçi. Kujtimi për ty do të jetojë përgjithmonë, ashtu siç do të jetojë përgjithmonë ajo të cilës ia kushtove gjithë jetën: LIRIA E KOSOVËS”,
Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri: Të falemi për sakrificën dhe rezistencën kombëtare, baca Adem. Ishe inspirimi i gjeneratave dhe na mësove si rezistohet për atdhe!
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta: “Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove. Do të mbetesh përjetë Adem Demaçi shqiptar. Sot fjalët, bac, janë të paketa për ty, dhimbja është sa një mal”, tha ai.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti: “Adem Demaçi ishte njeri i veçantë dhe burrë i papërsëritshëm. Vepra e Demaçit jeton përjetësisht”. “Veprimi i Demaçit qëndron si themel i Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Ahmeti, në ceremoninë mortore për Demaçin.
Abetare Demaçi, vajza e Adem Demaçit: “Po ndaj një mesazh që më dha para se të sëmurej. Ai tha më e rëndësishmja është të njohësh vetveten. Kështu si jemi nuk e njohim vetveten nuk e dimë rëndësinë e bashkimit. Babai i kombit sot u nda veç fizikisht, fjalët dhe veprat e tij janë të përhershme”,
Përndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, të shpallë tri ditë zie në Kosovë.