Eshtë ndarë sot nga jeta, Nehat Ferati kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani”.
Sa e sa lajme të mira na i sillte përherë për arritjet dhe çmimet qoftë për vete si këngëtar e instrumentist, por edhe lajme për arritje e çmime të tjera që merrnin kolegët e tij nga AKV “Gjilani”, artistë të tjerë, por edhe vet ansambli, si në gara brenda Kosovës, po ashtu edhe jashtë vendit, ndërsa sot, ne duhet të shkruajmë lajmin e kobshëm për ikjen e tij nga kjo botë.
Nehat Ferati ishte njeriu pozitiv dhe profesional në fushën e tij, që kontribuojë shumë në fushën e muzikës duke i nderuar mbarë artistët në Gjilan, por edhe vet komunën e Gjilanit dhe Kosovën.
Nazim Gagica ka bërë një dedikim prekës për kolegun e tij:
***
I trishtuar nga lajmi për ndarjen në moshë ende të re të mikut tim, kolegut, vellait tonë, artistit, Nehat Ferati.
Nuk e kisha menduar se do të shkruaj kështu për ty shok, jam thellësisht i tronditur.
Ikja jote herët në amshim, ka me lënë boshllëk kudo që ti ke qenë prezent; mes miqësh, në profesion, në Gjilan e kudo.
E pamundur të gjejë fjalë për të treguar kush ishe për mua, thjeshtë e pamundur!
Ngushëllime familjes, kolegëve të profesionit dhe gjithë atyre që e njohën!
U prehsh në paqe, Nehat!