Prestigjiozja italiane, “La Gazzetta Dello Sport”, ashtu si çdo vit edhe këtë herë publikon formacionin më të mirë të vitit. Sipas të përditshmes italiane, 11-ëshja ideale rreshtohet në skemën 4-3-3 ku bie në sy mungesa e argjentinasit Lionel Messi. Duke filluar nga porta, është Manuel Neuer ai që thyen hegjemoninë e Gianluiggi Buffon. Me 5 tituj të fituar në 2013-ën, gardiani i kombëtares gjermane ka një meritë të madhe për arritjet e skuadrës bavareze.
Krahët e mbrojtjes mbulohen gjithashtu nga dy lojtarë të Bayernit të Mynihut, Philip Lahm dhe David Alaba, të cilët plotësojnë katërshen e repartit difensiv me dyshen Subotic-Thiago Silva. Serbi i Borussias së Dortmundit ka zhvilluar një sezon të paharrueshëm që u prish vetëm nga dëmtimi i muajit nëntor, ndërsa braziliani konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë të planetit.
Reparti i regjisë së mesfushës mbulohet nga një tjetër lojtar i kombëtares së Gjermanisë. Ai është Bastian Schëeinsteiger, lojtar i cili konsiderohet edhe si nyja lidhëse mes mbrojtjes dhe sulmit te skuadra bavareze. Nga kampionati dhe drejt e në listën e të përditshmes “La Gazzetta” zbarkon një tjetër lojtar nga kampionati gjerman.
Bëhet fjalë për lojtarin e Borussias së Dortmundit, Gyndoghan, i cili konsiderohet një miks mes Iniestas dhe Pirlos. Kampionati anglez prezantohet me vetëm një alternativë në formacionin e vitit. Ai është lojtari belg i Chelseat, Eden Hazard që i ka bindur të gjithë të “Stamford Bridge”, duke u ringritur pas një sezoni të dobët në Londër.
Tredhëmbëshi i sulmit servir një treshe ëndrrash të dominuar gjithashtu nga Bundesliga. Robert Leëandoëski me katër golat e shënuar në gjysmëfinalen e Champions League kundër Realit të Madridit zë një vend të privilegjuar në repartin ofensiv. Ai konsiderohet si një nga qendërsulmuesit më të kompletuar në qarkullim dhe nuk është rastësi që adresa e tij është e mbushur me oferta faraonike nga klubet më të pasura të kontinentit.
Në krah të tij qëndron francezi Franck Ribery që vjen nga një sezon stratosferik i cili kulmoi me trofeun e Champions League në finalen e Londrës. Nuk mund të mungonte në listën e 11-ëshes më të mirë as Cristiano Ronaldo, njeriu që mban gjallë zjarrin në “Santiago Bernabeu” dhe tek i cili kanë varur shpresat për La Deciman në Madrid.
Një listë për t’u pasur zili ku Bayerni i Mynihut me të drejtë mund të vendosë veton për shkak të numrit të madh të lojtarëve që numëron në 11-ëshin titullar. Përveç mungesës së Messit, ajo që bie në sy është edhe mungesa e një lojtari italian, pasqyrë e vërtetë e situatës aspak të mirë që po kalon Serie A, një kampionat që ka rënë prej vitesh nga Olimpi i futbollit botëror sepse tashmë ligjin e bën…Bundesliga.