Ismajl KURTESHI
Të nderuar Anëtarë të Këshillit të Degës së PDK-së në Gjilan,
Të nderuar Anëtarë të Kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan,
Të nderuar Anëtarë të Kryesive të Nëndegëve,
I nderuari kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan, z. Zeka
I pakënaqur për një kohë të gjatë me rrjedhat brenda Partisë dhe mënyrën e qeverisjes së saj si:
Vendimmarrja jodemokratike, (imponim i qëndrimeve) i një rreth të ngushtë të udhëheqësve, në emër të Partisë, pa e dëgjuar mendimin dhe pa e marrë miratimin e strukturave dhe të anëtarëve të Partisë edhe për çështje të rëndësishme si: profilizimi i Partisë; përcaktimi i strategjive të caktuara për çështje të veçanta ; hyrja në bisedime pa miratimin e strukturave, pa platformë dhe me tema të përcaktuara paraprakisht nga pala tjetër ose nga ndrmjetsuesit; pranimi i decentralizimit në baza etnike (përkundër kundërshtimit nga anëtarësia dhe qytetarët); marrja e vendimeve të rëndsishme për vendin pa debat paraprak, politikën e kuadrove kryesisht të mbështetur në interesa grupore e lidhje farefisnore; privatizimi pa kriter, pa strategji, dhe pa analiza për efektet e gjertanishme të tij; mos ndërmarrja e masave adekuate ndaj bartsve të dukurive negative; mos mbajtja e zgjedhjeve në parti që nga viti 2005 etj.
Pas përpjekjeve të pareshtura për të ndikuar në demokratizimin e jetës brenda Partisë, angazhimit të vazhdueshëm që të respektohet Statuti i PDK-së, i hartuar dhe miratuar nga strukturat udhëheqëse të PDK-së, (që aktualisht janë shkelësit më të mëdhenj të tij ).
Pas përpjekjeve të mëdha që sadopak të ndikoj që qeverisja në nivelin lokal ( në Gjilan), por edhe në atë qendror, të jetë e bazuar vetëm në ligj, procedura, kritere dhe norma morale,e jo edhe në interesa të grupeve të caktuara dhe që vendimmarrësit interesat e përgjithshme t’i vënë mbi interesat personale e grupore.
Që strukturat udhëheqëse të nëndegëve dhe degëve, në koordinim me strukturat qendrore, të jenë kreatore të politikave lokale si dhe bashkë-kreatore të politikave të përgjithshme, e jo argat për realizimin e interesave të klaneve të caktuara.
Më në fund kam ardhur në përfundim se përpjekjet që të ndikohet në çështjet e lartpërmendura janë të kota.
Prandaj, duke mos dashur që edhe më tej të identifikohem me mënyrën e udhëheqjes së Partisë dhe të qeverisjes, si dhe me sjelljet dhe veprimet që nuk përkojnë me konceptin tim mbi udhëheqjen e partisë, qeverisjen dhe sjelljet në përgjithësi, unë kam vendosur që t’i jap fund angazhimit tim në PDK dhe me këtë të heq dorë nga të qenit anëtar i Këshilli Drejtues të PDK-së në qendër, Kryesisë së Degës, Këshillit të Degës si dhe nga të qenit anëtarë i PDK-së.
Këtë vendim, aspak të lehtë, jo vetëm për shkak të punës sime shumë vjeçare, por sidomos për shkak të shumë bashkëveprimtarëve të mi, të ndershëm e punëtorë, e kam marrë pasi kam menduar gjatë kohë.
Ky vendim është i formës së prerë.
Në fund falënderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e PDK-së që më kanë mbështetur pa rezervë gjatë gjithë këtyre viteve, e veçmas strukturat udhëheqëse të nëndegëve dhe të Degës, Rinisë dhe Gruas Demokratike për përkrahjen dhe punën e madhe dhe të sinqertë që e kanë bërë.
Të nderuar miq,
Të nderuar bashkëveprimtarë,
unë edhe në të ardhmen do të përpiqem të kontribuoj kudo që të jem, për të mirën e vendit tonë, duke punuar bashkë me të gjithë Ju, njerëzit vullnetmirë./2lonline/
Ismajl Kurteshi aktualisht është deputet i Parlamentit të Kosovës