Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës pas votimit në lexim të dytë, sot, më datë 14 dhjetor 2018, miratuan me shumicë absolute të votave tri projektligjet bazë të FSK-së: Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në Seancën solemne të mbajtur në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli, ishin të pranishëm edhe presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, si dhe kadetë e oficerë të tjerë të Forcës.
Arsyetimin e raporteve me rekomandime për të tre projektligjet i paraqiti kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës, z. Haxhi Shala, i cili ftoi deputetët të votojnë projektligjet së bashku me amendamente.
Në një atmosferë festive, me 105 vota për, Kuvendi miratoi Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes së bashku me 11 amendamente, projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me 45 amendamente dhe me 107 vota, si dhe miratoi Projektligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, me gjithsej 45 amendamente dhe me 107 vota për.
Me aprovimin dhe pas hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve, FSK-ja merr mision ushtarak, kurse Kosova rrumbullakësoi fazën e shtet ndërtimit me institucionin më të rëndësishëm siç është Ushtria.