Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, me kërkesë të Bujar Nevzatit, anëtarit të këtij Kuvendi, është nderuar me një minutë heshtje, ish drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Dr. Nisret Hajrullahu, i cili, ditë më parë, ndërroi jetë, duke lënë një boshllëk të madh në shëndetësinë terciare të Gjilanit, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Përndryshe, drejtues të institucioneve të komunës, të shëndetësisë, e të tjerë, e kanë vlerësuar lartë figurën e të ndjerit, si një profesionistë dhe humanist i madh, por edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare.
Kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kishte thënë, ndër tjerash se, Dr Hajrullahu ka qenë një udhëheqës i shëndetësisë, mjek e mik i nderuar dhe se Gjilani do të mbajë zi për luftëtarin për shëndetin publik dhe veprimtarin për liri e pavarësi.
Në mbledhjen komemorative, të mbajtur ditë më parë, kreu i Gjilanit kishte folur në superlativ për veprimtarinë e Hajrullahut, duke thënë se Dr Hajrullahu gjithmonë e ka dhënë maksimumin e tij si doktor, duke na bërë të gjithëve krenarë, transmeton 2LONLINE.com.
Ndërsa, nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, kishte thënë se vepra, përkushtimi dhe kultura e punës së tij, ishte e jashtëzakonshme në cilësinë e profesionistit dhe njëherit edhe të humanistit shembullor.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se tek doktori ka parë vetëm energji, pozitivitet, dashuri dhe ideal të pastër për të bërë mirë dhe për të zhvilluar shëndetësinë e Kosovës.
Edhe ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, kishte thënë se ishte goditje shumë e rëndë për të gjithë, me ikjen e papritur të doktor Nisretit.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini kishte thënë se doktor Nisreti është ndarë nga ne vetëm fizikisht, ndërsa do të jetë i pranishëm gjithmonë përmes kujtimit për këshillat e tij, për përvojat e shumta dhe për shembullin e profesionalistit të nivelit shumë të lartë.
E fjalë vlerësuese për të ndjerin Dr Nisret Hajrullahu kanë pasur edhe drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, dr. Ukshin Ismajli, pastaj nga reparti i pulmologjisë, dr. Agim Kryeziu, por edhe doktor Besim Guda e shumë tjerë, nga të cilët u tha se, Dr Nisret Hajrullahu do të na mungojë përgjithmonë dhe se vepra e tij do të jetojë gjatë. /2LONLINE.com/